KULTURË

Pandemia prish planet e teatrove të Kosovës

Para se të shfaqej pandemia në Kosovë, aktori Shkelzen Veseli ishte duke bërë prova me kolegët e tij për një shfaqje të re në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ata po bëheshin gati që të jepnin premierën e shfaqjes qysh në muajin mars, por gjithçka u ndërpre pas raportimit për rastet e para të të infektuarve me koronavirus në Kosovë.

“Para fillimit të pandemisë ne kishim filluar me shfaqjen në Teatrin Kombëtar me Zana Hoxhën si regjisore dhe ishim në 70 përqindëshin e provave të procesit. Pasi ka rënë pandemia i kemi ndërprerë provat, normalisht, dhe unë si aktor i kam respektuar rregullat dhe udhëzimet e institucioneve kështu që kam qëndruar në shtëpi,” thotë Veseli.

Aktori Veseli thotë se në mesin e sfidave gjatë kësaj kohe është edhe ajo se nuk e di se kur do të fillojnë të kthehen në skenën e teatrit, për të luajtur në shfaqje.

“Në këtë fazë kemi sfida të mëdha për shkak se nuk po mund të bëhemi bashkë komplet që të vazhdojmë me provat. Fillimisht me rritjen e numrave të infektuarve pasi filloi pandemia, të paktën unë e kam imagjinuar që deri në shtator ose në tetor që nuk do të ketë mundësi të kthehemi në vendet e punës. Më keqja ishte ajo që komplet viti mund të mos rikthehet në normalitet,” shtoi Veseli.

Ushtruesi i detyrës së udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Adrian Morina thotë për Radion Evropa e Lirë se pandemia ka prishur të gjitha planet e Teatrit për këtë vit.

“Sigurisht që plani jonë të cilin e kemi hartuar goxha mirë për këtë vit, bashkë me repertorin dhe me pjesët tjera përcjellëse për vitin 2020, edhe pse kemi besuar që do të jetë viti i teatrit sigurisht që pjesa dërmuese e planit na ka rënë poshtë. Ne do të përpiqemi që të bëjmë një plan B, përmes së cilit do të provojmë që ta gjejmë rrugën, që na ka humbur gjatë kësaj kohe,” thotë Morina.

Gjithashtu, Morina thotë se pandemia ka pasur ndikim të madh në zvogëlimin dhe shkurtimin e buxhetit të Teatrit Kombëtar, nga ana e Ministrisë së Kulturës, kështu duke ndaluar edhe shumë projekte të parapara për këtë vit.

“Kërkesa jonë fillestare për buxhet ka qenë diku rreth 600 mijë euro ku kanë qenë të përfshira edhe festivali që kemi pasur në plan ta realizojmë këtë vit, Festivali Ndërkombëtar, laboratorin e dramës edhe shumë projekte të tjera, por për shkak të kësaj situate të pandemisë jemi njoftuar nga Ministria e Kulturës që do të kemi shkurtim buxhetor dhe këto shkurtime buxhetore sigurisht që ndikojnë edhe në repertorin dhe plan programin tonë,” shtoi Morina.

Në anën tjetër, drejtori i teatrit të Gjilanit, Erson Zymberi, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se presin nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për rekomandime dhe sqarime në lidhje me procesin se si do të nisë hapja e teatrove, pasi sipas tij gjatë kësaj kohe të pandemisë Teatri i Gjilanit ka pësuar humbje si nga ana financiare po ashtu edhe ajo emocionale me publikun.

“Ne i kemi disa pyetje të cilat duhet t’i shtrojmë dhe do të duhet të kemi përgjigje nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, është fjala për atë se si do të duhet të futej publiku në teatër, sepse ne kemi humbur përveç pjesës së publikut edhe të hyrave të teatrit, ne kemi humbur edhe lidhjen, në fakt e kemi shkëputur një lidhje fizike me spektatorin. Vizitat e rregullta të publikut bashkë me pjesën tjetër të të hyrave ka qenë një humbje dhe ne presim që të rimëkëmbemi duke i marr parasysh rekomandimet e IKShP-së”, shprehet Zymberi.

Zymberi thekson se teatri i Gjilanit aktualisht është në fazën e rekrutimit të stafit artistik.

Në Kosovë, rastet e para me koronavirus janë shfaqur më 13 mars, dhe me vendim të Qeverisë së Kosovës në detyrë, të gjitha aktivitetet kulturore dhe artistike janë mbyllur. Ndërsa, me fillimin e fazës së tretë të lehtësimit të masave, pritet që edhe teatrot të rihapen.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483