Kosova

Pandemia ngadalëson gjykimin e krimeve të luftës

Pandemia ka ngadalësuar proceset për hetimin e personave të dyshuar për kryerjen e krimeve gjatë luftës së fundit në Kosovë

Analisti ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Prishtinë, Amer Alija, thotë se numri i seancave gjyqësore është zvogëluar dukshëm këtë vit në krahasim me vitet paraprake, si pasojë e pandemisë.

“Po si në të gjitha rastet edhe tek rastet e krimeve të luftës pandemia i ka ngadalësua shumë këto procese për arsyeje se shumica e këtyre personave të cilët gjykohen për krime të luftës shumica prej tyre janë në paraburgim dhe sidomos prej fillimit të pandemisë ka pasur shume pak seanca apo të gjitha janë anuluar”.

“Së fundi këto dy tre muajt e fundit kanë filluar intensivisht të mbahen seanca dhe apo kemi raste kur është infektuar ndonjë anëtarë i grupit gjykues dhe seancat po shtyhen, vetëm sa i përket seancave për krimet e luftës, prej marsit deri në nëntor janë mbajtur rreth 30 deri në 35 seanca për krimet e luftës në Kosovë. Ne i monitorojmë krimet e luftës që nga përfundimi i luftës dhe kemi pasur periudha ka pasur mbi 150 seanca në vit tani kemi më pak dhe besoj që ka m’u zvogëluar edhe më shumë numri i seancave”, tha Alija.

Përveç kësaj, gjykatat në Kosovë po përballen me numër të vogël të prokurorëve. Sipas Alijajt, ka mungesa të mëdha te stafi mbështetës.

“Pra prej qershorit 2018 dhe këndej kemi prokuroria vendore dhe gjyqësori vendor merret me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë. Sa i përket kapaciteteve se a janë angazhuar mjaftueshëm prokurorë, unë mendoj se numri është shumë i vogël i prokurorëve të angazhuar sidomos të stafit mbështetës kemi mungesë të analistëve për krime të luftës për arsyeje se këto vepra penale janë shumë voluminoze kërkohet një angazhim i madh për të pasur një rezultat të vogla për arsyeje se rastet dhe krimet të cilat kanë ndodhur para 20 viteve deri tash ka kaluar një kohë e madhe dhe shpesh kanë jap deklarata pranë misionit të EEULEX-it, UNMIK-ut edhe kujtesa e dëshmitarëve zbehet”, tha ai.

Poashtu, Alija ka theksuar një problem tjetër sa i përket sjelljes së personave që jetojnë në Serbi para drejtësisë në Kosovë, duke thënë se kodi i procedurës penale për gjykimet në mungesë nuk I është përshtatur gjendjes praktike dhe faktike në vend.

“Gjykimeve në mungesë , kodi i procedurës penale i është ndryshuar apo shtuar një dispozitivë ku ia mundëson hetimin dhe gjykimin në mungesë por ky ndryshim sipas mendimit tim nuk i është përshtatur gjendjes praktike apo faktive për arsyeje se në këtë ndryshim janë parashikuar disa kushte ku një prej kushteve është që së paku pesë herë t’i dërgohet ftesa personit i cili është i dyshuar dhe i cili jeton në Serbi dhe në anën tjetër na nuk e kemi marrëveshjen ndërkombëtare juridik mes Kosovës e Serbisë, është vështirë ë zbatueshme sesi do të shkoj pesë herë ftesa tek ai personi në adresën e shtëpisë nëse nuk kemi ndonjë bashkëpunim”, tha ai për EkonomiaOnline.

“Kam dëgjuar se tani janë duke e ndryshuar edhe njëherë këtë ligjin për gjykime në mungesë dhe besoj që kur do të publikohet kodi i procedurës penale i ri ky ndryshim do t’i eliminojë këto pengesa”, shtoi Alija.

Dy dekada pas përfundimit të luftës së fundit, për krime lufte në Kosovë, nga gjyqësori vendor, serb, duke i përfshirë edhe misionet ndërkombëtare janë dënuar 66 persona. “Nëse e marrim Kosovën, Serbinë, Hagën dhe Malin e Zi ku kemi pasur dy raste, në total janë dënuar 66 persona. Sa i përket Serbisë dhe Kosovës, në Kosovë i kemi të dënuar 40 persona, kurse në Serbi 17 persona”, tha Amer Alija.