EKONOMI

Pandemia dëmtoi rëndë edhe Byronë Kosovare të Sigurimit

Ushtruesi i detyrës i drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, ka thënë se është shënuar rënie e të hyrave si pasojë e reduktimit të lëvizjes së automjeteve, por edhe nga vendimi për zbritje të policave prej 35 përqindësh.

“Përpos që të hyrat kanë rënë si pasojë e reduktimit të lëvizjes, të hyrat kanë rënë edhe nga vendimi për zbritje të policave prej 35 përqindësh me vendimin e qeverisë për mbulim të tyre deri në fund të këtij viti. Po ashtu, te pagesa e faturave nga ana e qeverisë ka vonesa të pagesës së mjeteve dhe kjo drejtpërdrejt është duke ndikuar në punën e Byrosë”, ka thënë Mazreku në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”.

Ai ka treguar se te pagesa e faturave nga ana e qeverisë është duke pasur vonesa të pagesës së mjeteve, gjë që kjo po ndikon drejtpërdrejt edhe në punën e Byrosë Kosovare të Sigurimeve. Mazreku ka thënë se ka një plan dinamik të punës në krye të këtij institucioni ku, sipas tij, implementimi i këtij plani do të nisë në ditët në vijim. “Reformimi i Byrosë është prioritet kryesor imi por, siç e thashë edhe në përgjigjen paraprake, në ditët dhe muajt në vijim ne do ta zbatojmë planin e hartuar.

Atualsht Byroja nuk është në gjendje të mirë financiare, pasi që nga muaji mars i këtij viti, kur janë shfaqur edhe te ne rastet e para me Covid-19, shitja e policave thuajse ka rënë tërësisht. Një situatë e tillë ka vazhdar edhe në muajt pasues”, ka deklaruar Mazreku. Ai ka thënë se numri shumë i madh i automjeteve të pasiguruara është shndërruar në kancer të sektorit të sigurimeve. “Aktualisht llogaritet se numri i automjeteve të paregjistruara është më shumë se 150 mijë dhe dëmet që shkaktojnë këto automjete janë shumë të mëdha”, ka thënë ushtruesi i detyrës i drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku.