Bota

Pandemia ua humbi vendin e punës 42 milionë amerikanëve

Më shumë se çereku i forcës punëtore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – 42 milionë qytetarë – janë regjistruar në pakon për përfitime për shkak të papunësisë, që kur vendi është goditur nga pandemia.

Edhe 1.9 milionë punëtorë aplikuan për ndihmën e parë javën e shkuar, sipas Departamentit të Punës në SHBA. Kjo tregon rënie nga një javë më herët dhe vazhdim të trendit që po zgjat qe dhjetë javë, me javën më të keqe, të parën, që kulmin e pati me 6.9 milionë punëtorë që humbën vendet e punës në fund të marsit.

Sipas të dhënave, 21.5 milionë është shifra e atyre që kanë kërkuar ndihmë për të dytën javë rresht. Numri i atyre që kanë përsëritur kërkesën për ndihmë ka rënë nga java e shkuar, duke sugjeruar se më shumë njerëz po kthehen në punë me ekonominë që po rihapet. Megjithatë, sipas “CNN-it”, lëvizjet janë tejet të ngadalshme.

Për 11 javë rresht, shifra ka qenë milionëshe për ata që kanë mbetur pa punë. Para pandemisë, departamenti i punës s’ka regjistruar asnjë herë ndonjë javë me më shumë se një milion persona që kanë humbur punën.

Shkalla e papunësisë në Amerikë raportohet të ketë arritur në gati 20 për qind në mars, me 28.5 milionë vende të punës të eliminuara përgjatë dy muajve të fundit. Kjo shkallë e papunësisë nuk ishte regjistruar që nga Recesioni i Madh, dhe kur ka nisur mbledhja e të dhënave më 1948.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483