Kosova

“Pamfletpropozimaktakuza” ndaj Presidentit Thaçi, shtron dilema rreth ndikimit të politikës në Speciale

Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut (KMDLNj), ka ngritur dilema rreth ndikimit të politikës në Gjykatën Speciale – raporton Kosova.info


Nëpërmjet një reagimi, KMDLNj i ka cilësuar “pamfletpropozimaktakuza”, e jo aktakuza të ngritura nga Specialja, ato ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike Kadri Velelit.

Ja reagimi i plotë:

A ËSHTË GJYKATA SPECIALE E PANDIKUAR POLITIKISHT ?!

Kohë më parë Hashim Thaçi, president i Kosovës, për katër ditë, u intervistua në një intervistë maratonike nga prokurorë të Dhomave të Specializuara në Hagë pas denoncimit publik të një pamfletpropozimaktakuze ndaj tij, Kadri Veselit, ish-kryetarit të Kuvendit dhe kryetarit të PDK-së dhe 9 të tjerëve, pa emër dhe mbiemër, pa u konfirmuar nga gjykatësi i procedures paraprake e që rast të ngjashëm nuk kishte më parë para gjykatave ndërkombëtare, hibride dhe kombëtare që merren me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Linçimi publik që ua bënë Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, Dhoma e Prokurorit në Hagë, pa përmendur emrat e 9 të tjerëve ngjallë dyshime serioze se këta të dyshuar dhe potencialisht të akuzuar më vonë do të kenë një proces gjyqësor fer, të drejtë dhe të pandikuar politikisht siç parashihet me të gjitha ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e personave që përballen me drejtësinë. Këto dyshime për pavarësi nga ndikimi politik  të Dhomave të Specializuara bëhen edhe më bindëse për faktin se Viola von Cramon e që aktualisht është Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, një ditë pas përfundimit të intervistimit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, sipas parimit:” të rrahet hekuri sa është i nxehtë…” vizitoi Dhomat e Specializuara në Hagë duke i lavdëruar se janë duke bërë punë të shkëlqyeshme ndonëse që kanë kaluar disa vite kur është votuar dhunshëm në Kuvendin e Kosovës, nuk ka bërë asgjë përveçse ka shkaktuar hasmëri të madhe midis shqiptarëve, ka ndikuar dhe po ndikon 100% në disejnimin e skenës politike në Kosovë sikur që në aspektin ndërkombëtar e ka forcuar shumë Serbinë duke i dhënë shumë përparësi sidomos në bisedimet, krejtësisht të pabarabarta dhe imponuese me Kosovën. Me këtë veprim Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon qartazi po ushtron ndikim politik në këtë Gjykatë aq më parë që edhe më heret ka ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës me anime flagrante politike. Për më tepër, e ashtuquajtura Gjykatë Kushtetuese e Dhomave të Specializuara dhe i ashtuquajturi Ombudspersoni i këtyre Dhomave të Specializuara për ndarje të drejtësisë sipas parimit etnik dhe duke mos siguruar drejtësi për pjesën dërrmuese të viktimave ekskluzivisht për shkak të përkatësisë etnike  po e dëshmojnë se janë institucione koti, pa autoritet dhe kundër të drejtave të personave, tash të dyshuar dhe potencialisht të akuzuar. Këto të ashtuquajtura institucione të ( pa ) varura nuk reaguan as kur u linçuan publikisht Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli .

Për këtë arsye KMDLNj kërkon që këto procese të monitorohen nga monitoruesit ndërkombëtarë si dhe ata vendorë që kanë kredibilitet dhe që janë dëshmuar se kanë një përvojë profesionale. KMDLNj gjithashtu kërkon që deputetët e Kuvendit të Kosovës të ofrojnë kushte për amandamentimin e Ligjit për Gjykatën Speciale aq më parë  që kjo Gjykatë i është shitur opinionit të jashtëm dhe të brendshëm si Gjykatë e Kosovës e votuar në Kuvendin e Kosovës dhe si pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës në kohën kur 100 % e të të akuzuarve dhe mundësisht të dënuarve do të jenë shtetas të Kosovës dhe shqiptarë kurse 100% të stafit nga gjykata, prokuroria, policët dhe administrata janë ndërkombëtarë e që nuk ka qenë e tillë Gjykata për Krime Lufte në Hapësirat e ish- Jugosllavisë në Hagë e cila nuk ka zbatuar parimin etnik as kur ka arrestuar apo dënuar të dyshuar sikur që as viktimat nuk i ka trajtuar sipas parimit etnik.

Ka qenë Gjykatë shumë më e drejtë dhe shumë më ekuilibruar, ndonëse ishte themeluar nga Kombet e Bashkuara se kjo Gjykata Speciale që qenka themeluar nga Kosova e as që njohësit më injorantë të këtyre çështjeve nuk e besojnë. Nga aspekti i respektimit dhe zbatimit të universalitetit të drejtave të njeriut dhe drejtësisë për viktima sipas këtij parimi, Gjykata Speciale është shembulli më i keq i mundshëm sepse ndanë dhe siguron drejtësi krejtësisht në mënyrë selektive dhe duke keq-përdorur në mënyrë flagrante të drejtën e të gjitha viktimave për drejtësi dhe detyrimin që të gjithë ata që kanë planifikuar, nuk kanë penguar, kanë urdhëruar apo kanë bërë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duhet ta marrin dënimin shembullor dhe të merituar./Kosova.info/