Kosova

Palokaj thotë se LDK-ja ka më shumë përafrim me PDK-në sesa me VV-në

Augustin Palokaj, gazetar i Grupit KOHA në Bruksel, ka thënë se ka pasur përpjekje diplomatike që të parandalohet shkarkimi i Qeverisë Kurti, sidomos në kohën ku bota po përballet me Covid-19.

Ai thotë se politikanët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë se nuk e kanë primar interesin e qytetarëve, por atë partiak.

Palokaj në një lidhje direkte nga Belgjika në emisionin Express në KTV ka thënë se që nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve, përpjekjet për krijimin e Qeverisë nuk kanë qenë të sinqerta.

Ai tutje shton se më shumë kanë përafrim LDK me PDK-në sesa me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Diplomatët privatisht thonë se ndoshta e kanë shfrytëzuar situatën me koronavirusin që ta shpërbëjnë Qeverinë e cila e kishte nisur mirë qeverisjen. Sikur të ishte koha normale do të ishte shumë e lehtë të bëjmë analiza politike. Unë personalisht mendoj që Mustafa ka të drejtë të thotë se ka dallime me VV-në. Sipas debatit që kam përcjellë unë, pajtim më të madh ka në mes PDK-së dhe LDK-së se sa mes VV-së dhe LDK-së. Unë mendoj që edhe në të kaluarën që nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve, përpjekjet për krijimin e Qeverisë nuk kanë qenë të sinqerta”, ka thënë ai.

“Në këtë situatë, Kosova nuk mund të presë ndonjë ndihmë të jashtëzakonshme nga BE-ja”

Ai ka thënë se në një situatë aktuale, kur vendet e BE-së po përballen me koronavirus, Kosova nuk mund të pres ndonjë ndihmë të jashtëzakonshme.

“Shtetet e BE-së janë shumë më të goditura se Kosova, kështu që Kosova nuk mund të presë ndonjë ndihmë të jashtëzakonshme. Unë para dy ditëve ia drejtova një pyetje komisionarit të BE-së për zgjerim, se çfarë do të bëjë BE për ta ndihmuar Kosovën të dalë nga kriza, dhe ai tha që nuk ka ide se në Kosovë ka ndonjë krizë. Të gjithë tash merren me problemet që i kanë afër vetës e pastaj edhe me detyrat tjera. Ajo që janë të angazhuar është se si t’i ndihmojnë vendet e Ballkanit për të dalë nga kriza me koronavirus. Ata nuk e kanë pritur se do të ndodhë një krizë e tillë politike”, ka thënë ai.

“Akuzat e Thaçit ndaj BE-së, pjesë e taktikave të tij”

Palokaj ka thënë se akuzat e Thaçit ndaj BE-së janë sjellje taktike e tij.

Ai thotë se nuk ishte BE-ja ajo që bënte premtime për liberalizim vizash, por vetë Thaçi thoshte se ka marrë premtime.

Palokaj e ka quajtur dilemë artificiale rreth vendosjes mes BE-së dhe ShBA-së. Ai thotë se një dilemë të tillë e kanë krijuar vetë kosovarët.

“Ideja që është përfolur nëse ekziston një ujdi mes Thaçit dhe Vuçiqit ndoshta e përkrahur edhe nga disa diplomatë të cilët kanë punuar në zyrën e Federcia Mogherinit, ajo ide kishte ndarë edhe miqtë e Kosovës, është Kosova ajo që me veprimet e veta po krijon ndarjen mes miqve të Kosovës dhe Qunt-it sepse kemi parë që nuk ka pasur përkrahje për ide të tillë. Nuk ekziston një kërkesë drejtuar Kosovës që të vendosë Evropa apo Amerika. Mendoj që BE ka bërë gabime në mënyrën se si i është qasur dialogut”, ka thënë ai.

Ndërkaq duke folur për situatën me koronavirus në Belgjikë, ai ka thënë se vetëm sot janë konfirmuar 1300 raste të reja.

“Belgjika ka marrë me kohë masat, janë liruar shtretërit në spitale. Pritet që këto masa të vazhdohen. Në Belgjikë para një viti kanë qenë zgjedhjet mirëpo pas zgjedhjeve partitë politikë nuk kanë arritur të formojnë qeverinë. Ajo çka ka ndodhur është se kësaj Qeverisë teknike i është dhënë mandati për 6 muaj si të ishte qeveri e plotë, në mënyrë që të marrë vendime lidhur me krizën”, thuhet në njoftim.

Palokaj ka thënë se lufta me Covid-19 është luftë e përbashkët.

Ai ka thënë se BE-ja ka bërë që të koordinohen përpjekjet, dhe e njëjta shërben si adresë për shkëmbimin e informatave.