Kosova

Pallaska: Vendimi i Kushtetueses tregoi se Qeveria përvetësoi kompetencat e Kuvendit

Juristi Dastid Pallaska tha se vendimi i Kushtetueses që shpalli të pavlefshëm vendimin e Qeverisë për ndalim-qarkullimin tregoi se Qeveria ka marrë kompetencat e Kuvendit.

“Vendimi është një konfirmim që Qeveria ka marrë një vendim anti-kushtetues, që cenonte jo vetëm lirinë e lëvizjes, por edhe disa të drejta themelore të njeriut ku përfshihen të drejtat e privatëisë dhe ato të mbledhjes së tubimeve. Megjithatë, thelbi i vendimit të Kushtetueses është që të tregojë se Qeveria i përvetësoi kompetencat që i takojnë ekskluzivisht Kuvendit”.

“Kushtetuesja deklaroi qartë se është vetëm Kuvendi që përmes ligjeve mund të kufizojë disa të drejta dhe liri kushtetuese. Kushtetuesja e tha edhe atë që shumë njohës e dinë se kufizimet e tilla duhet të jenë të sakta, në mënyrë që njerëzit të kursehen nga arbitrariteti vendimeve të Qeverisë. Ajo nuk ka të drejtë që vetë t’i kufizojë liritë që parashihen me Kushtetutë”.

“Kryefjala e e Kushtetueses është që vendimi i Qeverisë ka qenë anti-kushtetues, por që kjo nuk ë bën presidentin fitues apriori. Qytetarët janë përfituesit e vetëm të këtij vendimi sepse iu mundësua të jetojnë në një vend që janë të lirë nga arbitrariteti i Qeverisë”.

“Pavarësisht qëllimit të supozuar në të mirë të shëndetit publik, Qeverisë nuk i lejohet t’i kufizojë të drejtat dhe liritë kushtetuese përtej autorizimeve ligjore që parashihen me Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse”.

“Në atë ligj Qeveria ka të drejtë të marrë masa sa i përket ndalimit të qarkullimit vetëm në zonat që janë të infektuara apo në atë zona që drejtpërdrejti janë të rrezikuara nga sëmundja, por kjo nuk do të thotë që Qeveria ka të drejtë të marrë masa në nivel vendi. Kushtetuesja ka saktësuar që Qeveria ka tejkaluar këto kompetenca të lejuara përmes ligjeve për sëmundje, por në vendim ka kufizuar edhe disa të drejta të tjera sikur ai për ndalimin e tubimeve që fare nuk ka të drejtë ligjore”.

Pallaska në Info Magazine tha se kryeministri në detyrë Albin Kurti duhet ta pranojë arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Po të kishim në krye të vendit një kryeministër të përgjegjshëm do të duhej ta pranonte dhe të mos heshtte. Me heshtjen e tij ai i cyt militantët e pashkolluar që të fyejnë Gjykatën Kushtetuese mbi baza të ndryshme. Vendimi është mjaftueshëm i qartë për të kuptuar pasojat juridike dhe për bazën kryesore mbi ku është vendosur”.

“Kryeministri duhet të dilte të njoftojë ata dhe t’i sigurojë qytetarët që Qeveria do të merr masa alternative në përputhje me autorizimet ligjore”.

Pallaska tha se ky vendim i Kushtetueses është i rëndësishëm edhe në shtensionimin mes dy akterëve, kryeministrit dhe presidentit, siç i quajti ai, të papërgjegjshëm.