Kosova

Pallaska: Refuzimi eventual nga gjykata i padisë ndaj Haradinajt, do të mund të nënkuptonte se Edi Rama është “tradhtar”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dje ka dorëzuar padi ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me akuzat rreth shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Padia e Edi Ramës, e cila përmban mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve dhe për të cilën kërkon kompensim të dëmit.

Në këtë padi, përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiqin, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë veprim të Edi Ramës, avokati Dastid Pallaska, ka thënë se padia ndaj Haradinajt paradoksalisht e vendos Kryeministrin e Shqipërisë para një predikamenti absurd ligjor po nëse çështja shqyrtohet në meritë.

Në një postim në Facebook, Pallaska ka shkruar “po që se padia tejkalon pengesat e shumta procedurale dhe do të shqyrtohet meritorisht – Kryeministri i Shqipërisë do ta ketë barrën e provës për të vërtetuar se nuk është “tradhtar.”

Postimi i plotë:

Padia për shpifje dhe/apo fyerje e Kryeministrit të Shqipërisë kundër Kryeministrit të Kosovês paradoksalisht e vendos Kryeministrin e Shqipërisë para një predikamenti absurd ligjor po që së çështja shqyrtohet në meritë.

Në parim, sipas Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, për tu liruar nga përgjegjësia ligjore për shpifje dhe/apo fyerje i padituri ka barrën e provës për të vërtetuar se deklarata e tij/saj është e vërtetë.

Ky rregull ka një përjashtim të rëndësishëm në rastet kur objekt i kërkesëpadisë për shpifje dhe/apo fyerje është një çështje e interesit publik që si paditës përfshin persona që mbajnë funksione publike. Në këto raste, barra e provës për vërtetimin se deklarata përkatëse është shpifëse dhe/apo fyese kalon tek paditësi. Për më shumë, i padituri në këto raste mund të mbahet përgjegjës vetëm nëse e ka ditur që deklarata e tij/saj është shpifëse dhe/apo fyese dhe ka vepruar me mospërfillje të pamatur ndaj të vërtetës.

Kjo do të thotë se – po që se padia tejkalon pengesat e shumta procedurale dhe do të shqyrtohet meritorisht – Kryeministri i Shqipërisë do ta ketë barrën e provës për të vërtetuar se nuk është “tradhtar.”

Mbi këtë bazë, refuzimi eventual i padisë nga gjykata për shkak të dështimit të Kryeministrit të Shqipërisë për të përmbushur barrën e provës që i takon sipas ligjit do të mund të nënkuptonte se Kryeministri i Shqipërisë është “tradhtar.”