Kosova

Pala kosovare fluturoi drejt Brukselit, “pa pilot”!

A mund ta përfaqësojë republikën tonë në procesin e dialogut me Serbinë një koordinator i sapoemëruar?

Delegimi i kompetencave për çështje të dialogut nga Kryeministri Avdullah Hoti te Koordinatori i sapoemëruar Skender Hyseni, po kritikohet zëshëm në opinionin publik – shkruan Kosova.info

Një ditë më parë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, zyrtarizoi emërimin e Skender Hysenit si Koordinator Shtetëror për Dialog. Për sa u përket kompetencave të tij, kryeministri ka thënë shkurt dhe qartë:

“Ai flet në emër timin në tavolinën e dialogut, ka këtë kompetencë të më përfaqësoj mua si kryeministër në procesin e dialogut. Koordinatori ka marrë përsipër organizimin e këtij procesi të rëndësishëm. Ne kemi hyrë në dialog për të përmbyllur marrëveshje me Serbinë, e cila përfshin dy gjëra- njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve. Dialogu është për të përmbyllur marrëveshjen me Serbinë!”

Avdullahi kundër Hotit!?

Më 2019, saktësisht më 12 shkurt të këtij viti, Hoti, atëbotë në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e pat kritikuar ashpër qeverinë e atëhershme të udhëhequr nga koalicioni PAN, pas emërimit të koordinatorëve shtetëror, duke e cilësuar aktin në fjalë si plaçkitje të buxhetit të shtetit.

Por kulmi i kundërthënies së Hotit po manifestohet edhe te premtimi i tij i mëhershëm për sa i përket udhëheqjes së dialogut. Këtë premtim e përsëriti edhe në intervistën e dhënë para disa ditësh për mediumin gjerman Deutsche Welle (DW), ku tha se:

“Në bazë të Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar sa i përket procesit të dialogut, është qeveria që ka përgjegjësi kushtetuese të udhëheqë këtë proces.”

Pikërisht këtu janë duke u mbështetur kundërshtarët e Hotit. Sipas këtyre zërave kritikë, duke ia deleguar kompetencat Koordinatorit Skender Hyseni, ai njëkohësisht po harron se e pat cilësuar si plaçkitje emërimin e koordinatorëve nga Qeveria PAN, ndërsa po e shkel premtimin e tij mbi udhëheqjen e dialogut, duke ia ngarkuar këtë barrë të rëndë, pikërisht një koordinatori.

“Dialogu nuk ka alternativë. Por, dialogu teknik ka përfunduar. Tani Kosova ka nisur dialogun për njohje reciproke, dhe sot në Bruksel fillon draftimi i kësaj marrëveshjeje” – ka shkruar ai sot në Facebook, përpara realizimit të takimit tjetër në kryeqendrën evropiane.

“Qasja refuzuese ndaj dialogut dhe ndaj miqve tanë në të kaluarën e afërt na ka izoluar. Shtëpia nuk mbahet pa miq” ka shtuar ai, duke theksuar se:

“Kosova ka një Kryeministër që po i ushtron autorizimet kushtetuese pa lejuar asnjë ndërhyrje në ato autorizime, por duke e koordinuar agjendën e shtetërore të Kosovës me bartësit e institucioneve, me partnerët e koalicionit dhe me opozitën, si dhe duke e mbajtur plotësisht të informuar publikun e gjerë.”

Mirëpo pyetja që po ngre krye gjithnjë e më shpesh në opinionin publik është kjo: Vërtet po i ushtron “autorizimet kushtetuese” Hoti, ndërsa po ia delegon ato një koordinatori të sapoemëruar?/Kosova.info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.