Kosova

Pajaziti kërkon që Ministria e Diasporës të bartet në Gjilan

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka kërkuar sot në seancën plenare që Ministria e Diasporës të zhvendoset nga Prishtina në qytetin e Gjilanit.

Ai këtë kërkesë e bëri gjatë shqyrtimit të Ligjit për Diasporën, ku theksoi se vendosja e Ministrisë së Diasporës në rajonin e Anamoravës do të thotë “afrim më i madh me diasporën sidomos gjatë kohës sa bashkëatdhetarët janë me pushime në Kosovë”.

Sipas tij, kjo do të ishte simbolikë e veçantë pasi ministria do të ishte më afër edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Kërkoj nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli që është edhe lider i koalicionit qeverisës që ta marr në konsideratë këtë kërkesë dhe ta shohë mundësinë që Ministria e Diasporës të zhvendoset në qytetin e Gjilanit”, ka thënë ai.