Kosova

Pacolli: Votat i japim, por s’bëhemi pjesë e koalicionit të Qeverisë Hoti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, tha se dy votat e partisë i japin për formimin e qeverisë së re, megjithatë, pjesë e koalicionit nuk do të bëhen.

Pacolli në një intervistë për Ora News tha se partia e tij do të mbesë në opozitë.

“AKR-ja mbetet jashtë koalicionit por do të mbështetë çdo veprim të çdokujt që shkon në interes të qytetarëve të Kosovës dhe një qeverisje të mirëfilltë të vendit. Dhe pse do të rrimë në opozitë kemi vendosur se dy votat e AKR do të shkojnë në favor të krijimit të kësaj qeverie”, tha Pacolli.

Pacolli rrëzimin e Qeverisë Kurti e shikon në një moment të papërshtatshëm, por shton se qeveria e tij në 3 muaj nuk ka bërë asnjë akt që shkon në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

“Është një akt pak a shumë zhgënjyes dhe kjo ndodh në një moment jo të duhur, kur qytetarët e Kosovës ishin duke u përballur me pandeminë por nuk duhet harruar edhe një fakt. Kjo qeveri nuk ka bërë asgjë në 3 muaj, të tregojë një akt pozitiv. Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e kushteve dhe jetës së qytetarëve të Kosovës. Edhe menaxhimin e kësaj pandemie nuk e ka bërë në mënyrën e duhur është duke bërë gabime çdo ditë. Kosova ka nevojë për një ekonomi të mirëfilltë, kemi probleme sociale të mëdha në Kosovë”, përfundoi ai.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.