Kosova

Pacolli nis vizitën zyrtare në Bullgari

Ka filluar vizita zyrtare e shefit të diplomacisë kosovare, ministrit Behgjet Pacolli, në Sofje, kryeqytetin e Bullgarisë, vendin që ka presidencën e radhës së BE-së. Takimi i parë do të jetë me homologen e tij, Ekaterina Zaharieva, njëherazi zëvendëskryeministre, në mjediset e ministrisë së jashtme, ku pas një bisede kokë më kokë, do të zhvillohet takimi i dy delegacioneve.

Më pas, vizita e kryediplomatit, Behgjet Pacolli, do të vijojë me takime të tjera në Parlamentin bullgar, me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes, Krasimir Karachanov, si dhe adresimin e Forumit dypalësh të biznesit organizuar nga odat ekonomike të dy vendeve.

Bullgaria dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe vizita ka synim nxitjen e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.  Pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Sofjes, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është gjithashtu temë e bisedës.

Bullgaria ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën. Ajo është mbrojtëse e flaktë e integrimit të Kosovës në të gjithë organizmat ndërkombëtarë. /Kosova.info/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.