Kosova

Pacolli: E vazhdojmë dialogun kur “diplomacia e ndyrë serbe” të ndalojë së minuari shtetësinë e Kosovës

Zëvendëskryeministri në largim i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se politika e jashtme e Kosovës ka qenë gjithmonë e koordinuar dhe në përputhje me pozicionin e partnerëve strategjikë, siç janë Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia që nga fillimi i viteve ‘90.

Duke iu përgjigjur kërkesës së shteteve të QUINT-it, të cilat sot kërkuar vazhdimin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, Pacolli tha se “mirëpresim angazhimin e treguar nga të gjitha vendet e Quint së bashku për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”.

Por tha se, edhe përkundër që Kosova gjithmonë ka qëndruar e përkushtuar të vazhdojë dialogun dhe ka qenë e gatshme t’i rifillojë bisedimet, “ishte Serbia që la karrigen e saj të zbrazët dhe provokoi incidente dhe agresion kundër Kosovës vazhdimisht”.

Pacolli përmendi edhe deklaratën e shefit të zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili tha se Serbia do të vazhdojë t’i mbrojë interesat e saj, duke iu referuar kërkesës së QUINT-it që kërkoi nga Serbia ta ndërpres lobimin për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Deklarata e Marko Gjuriqit sot dëshmon edhe një herë mungesën e vullnetit nga Serbia për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kosova ka luftuar për 2 vjet një betejë diplomatike të paparë me Beogradin që diplomacia e ndyrë serbe ka synuar të minojë shtetësinë e Kosovës ndërkombëtarisht. Tarifa ka qenë instrumenti sovran i Kosovës të reagojë ndaj këtij agresioni të provokuar nga Beogradi, dhe sot Serbia ende nuk tregon vullnet për t’i dhënë fund asaj”, ka shkruar Pacolli.

Ai tha se Kosova është e gatshme për dialog, “por kushtet janë të qarta – si dy shtete të pavarura dhe sovrane që synojnë njohje reciproke dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.