SHËNDETËSIA

Pacientët të detyruar të marrin shërbime në laboratore private

Mungesa e materialit shpenzues në laboratorin e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Obiliq, po bën që pacientet të paguajnë shuma të mëdha parash për të marrë shërbime në laboratorët private. Zyrtarë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, thanë për Radio Kosovën se më këtë problem po ballafaqohen me javë të tëra.

Ali Prokshi, tregon se ishte rekomanduar nga mjekët për të bërë disa analiza laboratorike, por mungesa e materialëve në Qendrën Mjekësore Publike po bën që Prokshi të drejtohet në laboratorët privatë.

Privat po duhet t’i bëj. Me pare… s’ke pare, mbarove.. as analiza as asgjë hiq. Ehhhh çfarë kushte, me një pension, 160 euro i marrë, po çka me bë, askush nuk po na pyet. Me u sëmur po, por  ndodh  se s’mund të çohesh ma, se nuk ka ilaçe e as asgjë hiç!

Pacientët si Prokshi tregojnë se po detyrohen t’u drejtohen laboratorëve privatë, shumica e të cilëve janë përballë objektit të laboratorit publik.

‘’U mbytem duke blerë, qe 2 ditë a 4 ditë jam këtu së bashku me gruan, edhe asgjë… kemi mbet si ardhi i kalbët.”

Haki Jashari, drejtor i Qendrës Kryesore te Mjekësisë Familjare në Obiliq, tregon arsyen se pse kjo qendër po përballet me mungesë të reagencave, që shërbejnë për analizat laboratorike.

“Është fakt, kemi mungesë të reagencave! Është çështje e procedurës me furnizuesin, po ashtu edhe mungesë e mjeteve buxhetore. Në konsultim me strukturat komunale, kanë bërë zgjidhje që tash do të kemi një shumë të caktuar të mjeteve me të cilat do të funksionojë laboratori deri në fund të vitit”, ka hënë ai.

Jashari thotë se brenda  një viti mbi 82 mijë pacientë kërkojnë trajtim mjekësor në këtë komunë dhe, sipas tij, ata nuk gëzojnë asnjë privilegj për shkak të ndotjes së lartë të ajrit me të cilën përballet kjo komunë.