Rajoni

Pa opozitën, Kuvendi i Maqedonisë ratifikoi marrëveshjen për emrin

Me 69 vota për dhe asnjë kundër, Kuvendi i Maqedonisë ka ratifikuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë.

Me këtë marrëveshje shteti emërtohet Maqedonia e Veriut, marrëveshje kjo që synon të mbyllë kontestin, i cili zgjat më shumë se dy dekada mes dy vendeve fqinje dhe ka mbajtur të bllokuara proceset integruese për Maqedoninë.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pak para se të votohej ratifikimi, tha se dëshiron të ndajë një lajm të gëzueshëm, duke thënë se sapo është njoftuar se Këshilli i NATO-s ka votuar që si pikë e rendit të ditës në samitin e radhës, të jetë zgjerimi i Aleancës dhe dërgimi i ftesës për anëtarësimin e Maqedonisë.

Kryeministri Zaev, para deputetëve edhe të mërkurën ka theksuar se me këtë marrëveshje nuk preket identiteti i maqedonasve, ndërkohë që hapen shumë perspektiva për të ardhmen e shtetit në procesin e integrimeve.

“Me këtë zgjidhje të kontestit, jo vetëm që fitojmë edhe një mik, jo vetëm që fitojmë edhe një partner strategjik, jo vetëm që i hapim dyert e NATO-s dhe BE-së, jo vetëm që garantojmë stabilitetin dhe sigurinë e vendit, po njëherësh ajo që është më e rëndësishmja realizojmë aspiratat shekullore të të parëve tanë të të gjitha etnive që kanë luftuar për këtë Maqedoni tonën, që përfundimisht ajo të njihet si shtet nga e gjithë bota; shtet ku pjesa dominuese popullatës është ajo maqedonase e njohur nga e gjithë bota; shtet ku flitet gjuha maqedonase e njohur nga e gjithë bota”.

“Ky është një akt historik dhe me votimin në Parlament pas tri dekadash për këtë çështje shumë të rëndësishme do të mund të vendosin qytetarët me votën e tyre në referendum”, tha Zaev.

Në seancën plenare, në të cilën u miratua ratifikimi i Marrëveshjes Maqedoni-Greqi nuk ishin të pranishëm deputetët e partisë më të madhe maqedonase VMRO DPMNE-së . Ata të martën lëshuan Parlamentit duke theksuar se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e procesit që ka tradhtuar interesat e Maqedonisë si shtet.