Kosova

Osmani uron Xhaferin: Rritja e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut fuqizim i demokracisë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Talat Xhaferin për rizgjedhje në postin e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.

Ajo thotë se rritja e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të jetë një fuqizim i demokracisë.

Me 62 vota pro dhe 43 kundër Talat Xhaferi i Bashkimit Demokratik për Integrim dje u rizgjodh kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“I nderuar z.Xhaferi, në emër timin personal dhe të Kuvendit të Kosovës, pranoni urimet e përzemërta me rastin e rizgjedhjes në detyrën e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në telegramin e urimit të Osmanit. “Kam besimin e plotë se në këtë mandat tuajin do ta intensifikojmë bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve të të dy vendeve, duke shkëmbyer praktikat dhe përvojat parlamentare, si dhe duke zhvilluar diplomacinë parlamentare”.

Sipas saj rritja e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të jetë një fuqizim i demokracisë, hapje e perspektivës evropiane dhe forcim i marrëdhënieve ndëretnike, në funksion të një Maqedonie të Veriut stabile dhe me orientim evropian.

|Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut tradicionalisht kultivojnë marrëdhënie miqësore në të gjitha sferat! Ndaj, në një kohë të afërme, pres një vizitë tuajën zyrtare në Republikën e Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin bilateral si dhe për të hapur perspektiva të reja në interes të të dy shteteve fqinje”, thotë Osmani.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.