Kosova

Osmani përcjell letrën e Kurtit te deputetët: Respektimi i Kushtetutës, obligim i të gjithëve

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ua ka përcjell gjithë deputetëve letrën e kryeministrit Albin Kurti, shkëmbimin e letrave të vitit 2013 ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Andres Fogh Rassmusen, si dhe opinionin ligjor të Zyrës së Kryeministrit mbi këtë shkëmbim letrash.

Osmani ka thënë se respektimi i Kushtetutës së Kosovës, është obligim i të gjithëve.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nëpërmjet një letre, ka sjellë në vëmendje të Kuvendit një shkëmbim letrash të datës 19 prill 2013 ndërmjet ish-Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me ish-sekretarin e NATO-s, Andres Fogh Rasmussen. Meqë në letrën e tij, Kryeministri i vendit e nënvizon rëndësinë e informimit të të gjithë deputetëve të Kuvendit lidhur me këto dokumente dhe asnjëra nga to nuk janë cilësuar si të klasifikuara sipas ligjeve në fuqi, ju kam përcjellë deputetëve të plotë letrën e Kryeministrit Kurti, shkëmbimin e letrave të vitit 2013 ndërmjet Kryeministrit të atëhershëm z. Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Rassmusen, si dhe Opinionin ligjor të Zyrës së Kryeministrit mbi këtë shkëmbim letrash”, thuhet në shkrimin që Osmani e ka publikuar në Facebook të mërkurën mbrëma.

Ajo ka thënë se kërkesa që secili institucion të respektojë Kushtetutën, nuk duhet të keqinterpretohet si sulm ndaj NATO-s.

“Respektimi i Kushtetutës së Kosovës është obligim i të gjithëve, siç është edhe ruajtja dhe kultivimi i partneritetit me partnerët tanë strategjikë. Në takimin e sotëm me komandantin e KFOR-it, kam vlerësuar kontributin e kësaj force dhe të NATO-s në 20-vjet të angazhimit të saj për një Kosovë të sigurt dhe e kam siguruar që mbesim të përkushtuar për një bashkëpunim të thellë”, ka shkruar ajo. “Anëtarësimi i Kosovës në NATO është interes yni shtetëror. Kërkesat që secili institucion në Kosovë të respektojë Kushtetutën dhe procedurat kushtetuese nuk do të duhej të keqinterpretoheshin si sulm apo kontestim ndaj NATO-s, por përkundrazi, si avancim të demokracisë e transparencës dhe respektimit të ligjit e kushtetutës në vend”.

Gjatë ditës, kryeministri Kurti ka kërkuar analizë të marrëveshjes sekrete të vitit 2013.

“Përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”, shkruan në komunikatën për media, të lëshuar nga Zyra e kryeministrit.

Kjo kërkesë e tij është kritikuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe liderë të tjerë opozitarë. Sipas Haradinajt, me votimin e ligjit për FSK-në, marrëveshja e 2013-s është shfuqizuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.