Kosova

Osmani për (mos) njohjen nga Xhamajka: Po presim informatë zyrtare nga MPJ

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Gjilan ku u takua me kryetarin e kësaj komune Lutfi Hazirin, ka folur për lajmin i cili u demantua, se Xhamajka e ka njohur shtetin e Kosovës.

Osmani, ka thënë se janë në pritje të një informate zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme, për të kuptuar realisht se a ka ndodhur apo fare kjo njohje.

“Jemi duke pritur një vlerësim zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me atë se çfarë ka ndodhur mbrëmë. Si Kuvend i Kosovës jemi bazuar në informatën zyrtare dhe tani për tani duhet të jemi të kujdesshëm në deklaratat tona deri në momentin e sqarimit përfundimtar të situatës. Si person që jam marr me çështjen e njohjeve ju siguroj që ndonjëherë përkundër që vjen informata në ndërkohë për shkak të ndërhyrjeve të shteteve që janë kundër Republikës së Kosovës situata ndryshon. Por nuk dua të jap ndonjë deklaratë pa marrë një informatë zyrtare nga Ministria e Punëve te Jashtme dhe pa marrë një sqarim përfundimtar se çfarë ka ndodhur”, ka thënë kryeparlamentarja Osmani.