Kosova

Osmani: Kurti ka ngritur shpresën e minatorëve, kemi 6 kërkesa për Qeverinë

Kreu i Sindikatës së Trepçës, Gani Osmani në Interaktiv të KTV-së ka folur rreth organizimit të 31 vjetorit të Grevës së Minatorëve të Trepçës.

Ai ka thënë se në manifestimin e sotëm kryeministri Albin Kurti ka ngritur shpresën e minatorëve, duke premtuar investim, zhvillim dhe joprivatizim.

Kujtojmë se më 20 shkurtin e vitit 1989 rreth 1,300 minatorë kishin hyrë në një grevë të thellë për 8 ditë me 10 kërkesa për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese.

“Ditët e Minatorëve fillojnë nga 20 shkurti deri më 28 dhe për këto ditë kemi aktivitete të ndryshme. Në ditën e parë kemi pasur manifestimin qendror dhe sot kanë qenë kryeministri, kryeparlamentarja e institucione të tjera dhe kryetarë komunash të ftuar. Shumë ka qenë e rëndësishme që kryeministri ishte aty dhe u ka dhënë një shpresë minatorëve se do të zgjidhet problemi i Trepçës”, ka thënë Osmani.

Ai bën të ditur se minatorët kanë gjashtë kërkesa për Qeverinë.

“Ne i kemi bërë kërkesat, mirëpo nuk kemi pasur shumë shpresa se vjen në këtë manifestim por me fjalën që e ka mbajtur e ka ngritur shpresën e minatorëve. Ne i kemi gjashtë pika si kryesore, të cilat i kemi dhënë edhe për qeveritë e kaluara, mirëpo asgjë nuk është realizuar. Pika e parë është se në pension kemi kërkuar të dalim me 70 për qind të pagës, pastaj kemi kërkuar që në pension të dalim në 50-55 vjeç. Kemi kërkuar sigurim shëndetësor, pension invalidor, e familjar. Të gjitha këto mund të përfshihen me një ligj të veçantë për Trepçën”, ka thënë Osmani.

Ai thotë se këto kërkesa iu kishin parashtruar edhe qeverive të tjera, por s’ka ndodhur asgjë.

“Kurti na premtoi se do të ketë investim, zhvillim dhe s’do të ketë privatizim. Nëse nuk ka investime Trepça vetveten s’mund ta mbajë, duhet të ripërtërihet teknologjia. I kemi bërë një kërkesë para dhjetë ditësh dhe besoj se do të kemi edhe një takim me të. E dimë se për një kohë të shkurtë nuk mund të bëhet por duhet të fillohet diçka”, u shpreh Osmani.

Tutje ai thotë se kanë pasur probleme me pagat.

“Më 2019 krejt vitit kemi pasur problem me paga, në fillim nuk ka pasur prodhimi mirë por kah fundi ka nisur të rritet edhe prodhimi, ku diku për 20 për qind është rritur prodhimi, mirëpo me paga gjithmonë kemi pasur probleme. Për këtë muaj që kemi marrë pagat për janar dikush ka marrë 100 për qind e dikush 60 për qind. Menaxheri na ka thënë kinse nuk ka mjete. Para pak ditësh kemi biseduar dhe problemi momentalisht duket se është ai me Kinën, është një problem mirëpo punëtorët nuk mund të presin”, është shprehur ai.

Sipas tij secili drejtor që vjen e rrit borxhin, pasi nuk paguan shpenzimet.

“Cilido drejtor që vjen e len borxh, vjen tjetri i bën 2 milionë e tjetri bën 3-4 milionë. Ata nuk paguajnë shpenzimet, këta cilido që vjen shpenzimet nuk i paguan dhe në njëfarë mënyre kemi borxh, sikur nuk iu intereson fort për Trepçën. Me Ligjin për Trepçën më 2016 Qeveria e ka 80 për qind dhe 20 për qind punëtorët, pra Qeveria duhet të investojë. Trepça është pasuri kombëtare që nëse do të ishte qeveri e mirëfilltë pika e parë të investohej në shkritore dhe të fitojmë. E merr Bullgaria, Zvicra, Suedia dhe kushdo që e merr koncentratin ai fiton, pra veç duhet të vendoset në shkritore dhe me e marrë materialin”, ka thënë ai.