Osmani: Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit

Presidentja Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Samitin e tretë të Demokracisë që është mbajtur në Republikën e Koresë.

Osmani në këtë samit ka folur në emër të Kosovës.

Ajo tha se vendi ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit në përputhje me strategjinë e miratuar gjithëpërfshirëse kombëtare, një nga rezultatet më të rëndësishme në kuadër të zotimeve tona në Samitin për Demokraci.

“Ne kemi dëshmuar gjithashtu edhe përkushtimin tonë ndaj standardeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit, duke miratuar Deklaratën kundër ndalimit arbitrar në marrëdhëniet ndërshtetërore; duke u bërë pjesë e Deklaratës së Parimeve për ta luftuar represionin transnacional së bashku me gjashtë vende të tjera demokratike, në tetorin e kaluar; si dhe duke punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara drejt avancimit të përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar manipulimin e informacioneve nga ndonjë shtet i huaj”, tha Osmani.

“Me barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në themel të të gjitha zotimeve tona, ne kemi punuar me të gjitha institucionet dhe me shoqërinë civile për ta luftuar dhunën me bazë gjinore, për t`i fuqizuar gratë ekonomikisht dhe për ta forcuar rolin e tyre në institucionet publike dhe politike”, theksoi ajo.

E para e shtetit paralajmëroi edhe organizimin në Prishtinë të edicionin e dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që do të mbahet në muajin prill.

“Në këtë edicion, ne do të fokusohemi jo vetëm në partneritetet dhe dialogun për ta ndërtuar paqen e qëndrueshme përmes sigurimit të përfaqësimit më të madh të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Jam e lumtur ta ndajë me ju lajmin për themelimin e Qendrës së parë Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në partneritet me Zyrën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, në përputhje me Strategjinë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2023 të SHBA-ve, si dhe Planin Kombëtar të Veprimit”, tha shefja e shtetit

Deklarimi i plotë i presidentes në Samitin e Demokracisë:

Të nderuar kolegë, të nderuar përfaqësues të institucioneve të Koresë së Jugut!

Demokracia nuk mund të merret si e mirëqenë. Demokracia, gjithashtu nuk është një e drejtë e dhuruar. Mbi të gjitha, demokracia është përgjegjësi: përgjegjësi për të mbrojtur, për të fuqizuar, për të ruajtur, për të mbështetur, por më e rëndësishmja, është një përgjegjësi për të vepruar.

Tre vjet më parë, me iniciativën e Presidentit Biden, ne iu bashkuam botës demokratike për ta përcjellë një mesazh uniteti. Por, mbi të gjitha një mesazh për domosdoshmërinë e bashkimit të demokracive përballë autokracive në rritje.

Që atëherë, zotimet që kemi marrë përsipër në kuadër të Samitit për Demokraci i kanë prirë rrugëtimit tonë si në politikë ashtu edhe në vendimmarrje. Në çdo epokë, demokracia është sfiduar nga forcat e tiranisë dhe shtypjes, sikurse edhe nga ata që kërkojnë ta minojnë fuqinë e saj transformuese. Megjithatë, demokracia mbijeton. Ajo bëhet më e qëndrueshme dhe më e fortë, sepse në thelbin e saj, demokracia ka të bëjë me shpirtin e njeriut. Me ëndrrat dhe me aspiratat tona.

Që nga takimi ynë i fundit, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit në përputhje me strategjinë e miratuar gjithëpërfshirëse kombëtare, një nga rezultatet më të rëndësishme në kuadër të zotimeve tona në Samitin për Demokraci. Ne kemi dëshmuar gjithashtu edhe përkushtimin tonë ndaj standardeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit, duke miratuar Deklaratën kundër ndalimit arbitrar në marrëdhëniet ndërshtetërore; duke u bërë pjesë e Deklaratës së Parimeve për ta luftuar represionin transnacional së bashku me gjashtë vende të tjera demokratike, në tetorin e kaluar; si dhe duke punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara drejt avancimit të përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar manipulimin e informacioneve nga ndonjë shtet i huaj.

Me barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në themel të të gjitha zotimeve tona, ne kemi punuar me të gjitha institucionet dhe me shoqërinë civile për ta luftuar dhunën me bazë gjinore, për t`i fuqizuar gratë ekonomikisht dhe për ta forcuar rolin e tyre në institucionet publike dhe politike.
Teksa po flas para jush, ne jemi duke i bërë përgatitjet për ta mbajtur edicionin e dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në muajin prill në Prishtinë. Në këtë edicion, ne do të fokusohemi jo vetëm në partneritetet dhe dialogun për ta ndërtuar paqen e qëndrueshme përmes sigurimit të përfaqësimit më të madh të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Jam e lumtur ta ndajë me ju lajmin për themelimin e Qendrës së parë Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në partneritet me Zyrën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, në përputhje me Strategjinë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2023 të SHBA-ve, si dhe Planin Kombëtar të Veprimit.

Këto masa përfaqësojnë në tërësi një qasje të fuqishme drejtë forcimit të sundimit të ligjit, duke shfaqur përkushtimin e Kosovës ndaj reformës ligjore, transparencës si dhe mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të njeriut. Në këtë rrugëtim, angazhimi i brezit të ardhshëm në proceset demokratike është jetik. Jam e bindur se nëpërmjet njohurive të tyre dixhitale gjithnjë në zhvillim, ne kemi mundësi të jashtëzakonshme për ta zhvilluar tutje demokracinë. Veprimet e të rinjve tanë, pasioni i tyre dhe përkushtimi ndaj demokracisë mund ta nxisin një epokë të re prosperiteti.
Kjo, ngase, ku ka qëndrueshmëri, këmbëngulje, unitet dhe ambicie, demokracia gjithmonë fiton!

Faleminderit!

Go to TOP