Kosova

Osmani kërkon qeveri teknike deri në zgjedhjet e reja

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se zgjedhjet e reja janë opsioni i vetëm që do të mund të rikthenin legjitimitetin e institucioneve në vend, duke shtuar se në kohë pandemie Kosovës i duhet një qeveri teknike unifikuese.

Në një deklaratë për KOHËN, Osmani ka thënë se një qeveri tranzitore do të parandalonte polarizimin ekstrem dhe përplasjet e mëdha politike në kohë pandemie.

“Politikisht, siç e kam thënë edhe në të kaluarën, zgjedhjet janë i vetmi opsion që do të mund të rikthenin legjitimitetin e institucioneve. Por në ndërkohë, deri sa do të krijoheshin rrethanat për zgjedhje për shkak të pandemisë, mendoj se e vetmja mënyrë për të parandaluar polarizimin ekstrem dhe përplasjet e mëdha në këto kohë sfiduese do të kishte qenë një qeveri tranzitore, ta zëmë për 6-9 muaj, e udhëhequr nga një figurë unifikuese mbi-partiake dhe me ministra teknik”, ka thënë ajo.

Sipas saj, një qeveri teknike-unifikuese do të mundësonte tejkalimin e krizës politike e ekonomike dhe do të bënte përgatitjen për organizim të zgjedhjeve të reja, e do të sillte konsensus rreth dialogut dhe mbrojtjes së integritetit territorial.

Nënkryetarja e LDK-së ka thënë se “Qeveritë që varen në tërësi nga Lista Serbe asnjëherë nuk kanë sjellë as sukses e as stabilitet, sepse varshmëria nga Lista Serbe rrezikon arritjen e çdo objektive apo suksesi në të mirë të vendit”.

“Asnjë vendim më nuk është vetëm i vendit tonë por është rezultat i kompromiseve Kosovë-Serbi. Pra as edhe ligjet më të thjeshta nuk do të mund të kalojnë pa pajtimin e listës serbe, që do të thotë pa pajtimin e Beogradit. Ndërkaq, unifikimi i skenës politike në vend asnjëherë nuk e ka dëmtuar Kosovën por vetëm e ka shtyrë përpara atë”, ka deklaruar më tej ajo.

LDK-ja e Osmanit ka arritur marrëveshje me AAK-në e Nismën për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti më 25 mars. Votimi për Qeverinë e re do të mbahet të mërkurën, më 3 qershor.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.