EKONOMI

Osmani: Ka nevojë për përmirësime në shpenzimin e parasë publike

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, në “Express Intervistën” në KTV, ka folur për raportet e fundit të nxjerra nga ky institucion.

Sa i përket kornizës afatmesme të shpenzimeve, Osmani tha se është linja kryesore e një qeverie. Sipas tij, sa i përket shpenzimeve të parasë publike, ai tha se ka nevojë për përmirësime.

“Jemi detyruar të japim numër të caktuar të rekomandimeve. Kanë rezultuar se ka nevojë për përmirësime. Qeveria ka plan të vetin të zhvillimit ekonomik, derisa përmes kornizës afatmesme ka financuar projekte tjera”, tha Osmani.

Auditori i Përgjithshëm tha se Qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme kur bën financimin e projekteve. Ai tha gjithashtu se zbatimi i rekomandimeve nga Auditori i Përgjithshëm, po vazhdon të shpërfillet.

Në intervistën në KTV, Osmani tha se ka devijim në sektorin e transportit diku në 60 për qind.

Ai tha se edhe Ministria e Financave, duhet të shkojë një hap më tej sa i përket përmirësimit të raportimit. Ai tha se të dhënat duhet të mos i prezantojë vetëm sipas sektorëve, por edhe në bazë të institucioneve që janë përgjegjëse, sepse kështu Auditorët i hulumtojnë më lehtë.

Sa i përket punës së auditorëve, puna më e vështirë bëhet kur ata s’kanë dëshmi të mjaftueshme për të argumentuar fakte në publik, thotë Osmani.

Njësitë shpenzuese të buxhetit, thotë ai, duhet të japin llogari para Kuvendit të Kosovës.

Auditori i Përgjithshëm, tutje tha se ka pasur shkelje edhe në ndërtimin e shkollave nëpër Kosovë.