EKONOMI

Osmani: Jemi lodhur nga grevat, por në Trepçë asnjë të drejtë s’e kemi fituar pa të

Gani Osmani, nga Sindikata e Punëtorëve të Kombinatit “Trepça”, ka thënë se janë të detyruar të futen në grevë, ndonëse janë lodhur nga to. Në Express Intervistën e KTV-së, ai ka thënë se kurrë pa grevë nuk kanë arritur të fitojnë ndonjë të drejtë.

Për faktin që nuk i kanë marrë të plota pagat e muajit të kaluar, si dhe për vonesat që ato t’i marrin edhe këtë muaj sipas kontratës në mes të datave 7-10, punëtorët e Trepçës sot nuk kanë punuar me flotacion.

“Arsyet dhe kërkesat janë të shumta, si të thuash janë të grumbulluara. Së pari, punëtorët nuk i kanë marrë të plota pagat e muajit të kaluar, por me minus nga 4 deri në 30 për qind. Edhe disa shtesa nuk janë bërë. Po ashtu, ne sipas kontratës e kemi që pagat t’i marrim nga datat 7 deri më 10, dhe ende nuk kanë dalë. Punëtorët kanë hyrë në obligime bankare dhe atyre po u shkaktohet problem me këto vonesa”, ka thënë Osmani.

Për këtë arsye, ai ka thënë se as ndërrimi i parë dhe i dytë në Trepçë nuk ka punuar me flotacion.

“Kanë punuar vetëm objektet vitale, të cilat nuk ndalen kurrë”, ka thënë ai.

“Ne kemi pritur që do të bëhet një zgjidhje sot. E dimë që shkop magjik nuk ka askush, por ne kërkojmë një afat brenda të cilit duhet të zgjidhet kjo çështje. Arsyetimi i tyre është se nuk po mundin ta shesin koncentratin. Por fundja punëtorëve nuk u intereson ajo gjë, menaxhmenti duhet të bëjë zgjidhjen”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se këtë muaj e kanë pasur rendimnetin më të madh dhe rrjedhimisht të gjithë punëtorët kanë pritur që jo vetëm të marrin pagat me kohë, por edhe të shpërblehen.

Duke folur për kushtet e punës, ai ka thënë se nuk paguhen as 50 për qind të punës që bëhet.

“Mesatarja e pagës është rreth 700 euro. Dallimi është në 150 euro në mes të sektorëve. Ne kërkojmë që diferenca të jetë deri në 400 euro. Ata që duan pagë më të madhe duhet të hyn më thellë në galeri”, ka thënë ai.

“Kushtet i din gjithkush. Ushqimi është shumë i dobët. Sot për shembull e kemi pas një kozervë peshku dhe bukë. Siguri në punë nuk ka, e as sigurim shëndetësor. Askujt nuk i njihet përvoja e punës. Nuk ka kushte elementare, punëtorët e mbajnë punën veç me vullnetin e tyre. Duke filluar nga ato më elementare, nga veshja, ajrosja, në horizontin 10-11 ndizet naftë. Kjo është përdorë në para luftës, por në shumicën e vendeve nuk përdoret më”, ka thënë ai.

Osmani ka thënë se deri tan nga të gjitha qeveritë kanë marrë vetëm premtime.

“Na kanë pranuar Qeveritë në takime, na kanë thënë ‘se ky do të jetë vit i Trepçës’. Por kanë mbetur veç premtime. Edhe punëtorët po thonë jemi bërë me greva si monoton, por po na detyron, se asnjë benefit as të drejtë nuk e kemi fituar pa greva”, ka thënë ai.