Kosova

Osmani i uron shërim të shpejtë senatorit Bob Dole: Populli i Kosovës lutet për ty

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, i ka uruar shërim të shpejtë senatorit Bob Dole.

Ajo ka thënë se populli i Kosovës po lutet për shërimin e tij, njofton Klan Kosova.

“Jam shumë e pikëlluar që dëgjova lajmin në lidhje me diagnozën e senatorit Bob Dole. Populli i Republikës së Kosovës dhe unë ju uroj shërim sa më të shpejtë. Lutjen t tona janë me ju”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Bob Dole është diagnostikuar me kancer në mushkëri.

Lajmin e ka bërë të ditur dje vetë ai përmes një postimi në Twitter ku ka thënë se ai e di se bën pjesë në mesin e miliona amerikanëve që kanë sfida shëndetësore.

“Së fundmi, jam diagnostikuar me kancer në mushkëri në fazën e katërt. Trajtimi im i parë do të nisë të hënën”.

Dole është mik i madh i Kosovës që dha kontribut të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së saj.

Në nderim të kontributit të tij në Prishtinë është përuruar edhe busti i tij derisa edhe një rrugë në kryeqytet e mban emrin e tij.

Senatori Bob Dole e kishte vizituar për herë të parë Kosovën në vitin 1990.