EKONOMI

OSHP-ja gjen shkelje ligjore në tenderin çerekmilionësh të KEK-ut

Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) i është kthyer në rivlerësim një tender që kishte vlerën e një çerekmilionëshi, shkruan sot Koha Ditore.

Organi Shqyrtues i Prokurimit nëpërmjet një vendimi të datës 20 janar ka konstatuar se jo gjithçka ka shkuar në përputhje ligjore në këtë aktivitet të prokurimit, që kishte për qëllim furnizimin me acid. Ai i ka miratuar pjesërisht si të bazuara ankesat e dy operatorëve ekonomikë pjesëmarrës.

KEK-u në këtë aktivitet të prokurimit kishte zbatuar procedurë të hapur, lloji i kontratës ishte furnizim, kontratë publike (kornizë 36 muaj) me vlerë të madhe – vlera e parashikuar 266.385 euro. Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se OE ankues “NTSH Bizun” si palë e pakënaqur kishte deponuar ankesë në OSHP kundër njoftimit për dhënie të kontratës nga AK-KEK.

I njëjti pretendonte se Autoriteti Kontraktues kishte vepruar në kundërshtim me nenet 7, 59, 60 dhe 69 të Ligjit për prokurimin publik. Ndërsa OE “Redoni HM” pretendonte se AK-KEK kishte vepruar në kundërshtim me nenet 1, 59 dhe 72 të LPP-së. Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, shqyrtimit të pretendimeve ankimore të OE ankues, konstatimeve, analizës konkrete dhe rekomandimeve të ekspertit shqyrtues dhe teknik, deklarimit të palëve në procedurë, diskutimeve dhe shoshitjes së provave në tërësi dhe seancës për shqyrtim kryesore, Paneli shqyrtues e kishte pranuar ankesën e operatorëve ekonomikë ankues kundër njoftimit të KEK-ut për dhënie të kontratës.