KULTURË

Orkestra maqedonase: Nuk e bojkotuam Lahajn

Orkestra maqedonase nuk e bojkotoi tenorin kosovar Ramë Lahaj, për shkaqe nacionaliste dhe gjithçka ndodhi për një keqkuptim të minutave të fundit, është përgjigja e udhëheqësve të Operës e Baletit të Maqedonisë së Veriut.

Lahaj, javën që shkoi, mbajti koncert në Shkup, në edicionin e shtatë të festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”.

U paralajmërua se do të shoqërohej në skenë nga 60 instrumentistët e Orkestrës maqedonase, por në momentin e fundit, orkestrën e zëvendësoi pianisti shqiptar Genc Tukiçi.

Pas koncertit, për Kohavisionin, Lahaj kishte thënë se u vërtetua që pala maqedonase në vazhdimësi ka tendenca të mos jetë profesionale dhe korrekte, kur në pyetje janë aktivitetet kulturore të shqiptarëve.

Por, këtë e mohojnë udhëheqësit e Orkestrës maqedonase, institucion ky që përfshin afro 200 të punësuar dhe asnjë prej tyre nuk është shqiptar.

Drejtoresha artistike e Operës dhe Baletit të Maqedonisë, Bisera Chadlovska, në një përgjigje për Kohavisionin, ka konfirmuar se orkestra ishte angazhuar nga organizatorët e festivalit për të performuar me Lahajn në koncert.

“Ne e prisnim me kënaqësi të madhe, duke e ditur që Lahaj është një artist i jashtëzakonshëm me karrierë ndërkombëtare. Nuk është e vërtetë që orkestra nuk u është përgjigjur provave, gjithçka ka shkuar mirë deri në 10 minutat e provës së fundit, kur ndodhi një keqkuptim. Me sa e di unë, keqkuptimi nuk ishte aq i madh, sa për t’u bërë arsye që të anulohej një koncert. Sa i përket kontekstit nacionalist, i gjithë i ashtuquajturit ‘skandal’, unë veç mund të them se nuk ekziston. Absolutisht e mohoj që orkestra apo kushdo tjetër në Operën dhe Baletin e Maqedonisë, e ka bojkotuar tenorin për shkaqe nacionaliste. Ne të gjithë kemi punuar dhe do të punojmë me artistë të të gjitha nacionaliteteve, sidomos me artistë shqiptarë, të cilët kanë qenë pjesë e repertorit tonë në të kaluarën. Orkestra jonë ka luajtur në koncerte të shumta për ta shënuar Ditën e Flamurit Shqiptar dhe Alfabetit Shqip në Maqedoni dhe asnjëherë nuk ka pasur telashe. Po ashtu, është e pamundshme ta bojkotosh dikë në provën e fundit. Nëse dikush e ka pasur atë qëllim, do ta bënin këtë që nga fillimi”, ka shkruar Chadlovska në përgjigjen e saj elektronike.

Nga ana tjetër, Fatos Lumani, drejtor artistik i festivalit “Skena e Muzikës Serioze Shqiptare”, i ka përcjellë Kohavisionit një sqarim të organizatorëve lidhur me mungesën e orkestrës në koncertin e tenorit kosovar.

“Artistë të nivelit botëror, si Ramë Lahaj apo David Crescenzi, meritojnë jo më pak se niveli i tyre artistik, nivel i cili, ndoshta orkestrave të vendit tonë u duhet më tepër kohë për ta arritur dhe koha është një luks i shtrenjtë për këta artistë, të cilën nuk e kanë me tepricë. Për të mos humbur kohë dhe për të mos e rrezikuar nivelin artistik të koncertit, në momentin e fundit vendosëm që ta angazhojmë pianistin me karrierë ndërkombëtare Genc Tukiçin. Lidhur me këtë çështje, nuk dëshirojmë të mendojmë me retorikë nacionaliste, edhe pse koha e zgjedhjeve gjithmonë e çon ujin nga ky drejtim. Nuk mund t’i pohojmë dhe as t’i mohojmë arsyet e mos-përgjigjes së kërkesave në moment të caktuar dhe në nivel të caktuar të orkestrës ndaj dirigjentit. Atë që mund ta them me siguri është se kishte përkushtim dhe vullnet të mirë nga drejtori i MOB, Vaso Ristov dhe udhëheqësia e këtij institucioni, që ky koncert të realizohej me orkestër. Kjo gjë na bën që në të ardhmen të vazhdojmë bashkëpunimin me këtë institucion”, shkruan Lumani në sqarimin e tij.

Pas koncertit të Lahajt, Lumani e kishte arsyetuar me telashe teknike, mungesën e orkestrës në skenë.