Bota

Orban: Takimi me Papën më inkurajoi që të mbroj vlerat e familjes

Kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban tha të premten, më 17 shtator, se gjatë takimit që zhvilloi me Papa Françeskun, më herët gjatë kësaj jave, e ka inkurajuar atë që të vazhdojë të mbrojë vlerat tradicionale të familjes. Megjithatë, gjatë këtij takimi Orban dhe Papa shmangën temën e migrimit, temë për të cilën kanë qëndrime të kundërta.

Orban, që është në pushtet që nga viti 2010, e ka portretizuar veten si shpëtimtarë të kulturës së Hungarisë kundër migrimit të myslimanëve në Evropë dhe si mbrojtës të vlerave të krishtera kundër liberalizmit të Perëndimit.

“Takimi më dha kurajë të madhe”, tha Orban duke iu referuar takimit me Papa Françeskun, pasi ai më 12 shtator bëri një vizitë shtatorëshe në Budapest.

“Ati i Shenjtë ma bëri të qartë se lufta që ne po bëjmë për të mbrojtur familjet është lufta më e rëndësishme për të ardhmen e Evropës”, tha Orban për Radion Publike.

Vitin e kaluar, Hungaria ka amendamentuar Kushtetutën sa i përket përkufizimit të familjes, duke ndaluar adoptimin e fëmijëve nga çiftet e gjinisë së njëjtë.

Orban tha se Papa i ka thënë atij se nuk duhet të ketë debat lidhur me familjen tradicionael.

“Ai tha se familja konsiston në babanë, nënën dhe fëmijët, pikë”, tha Orban.

Orban tha se gjatë takimit 40-minutësh me Papën nuk kanë biseduar për temën e migrimit.