KULTURË

“Ora e shkrimtarit” përkujton emra të mëdhenj sonte

Sonte me fillim në orën 17:00, në galerinë Kultplus në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës fillon aktivitetin e vet kulturor në kujtim të 10 shkrimtarëve të ndjerë të vendit.

Aktiviteti i parë i kushtohet poetit Esat Mekuli.

Në kuadër të projektit të vet “Ora e Shkrimtarit”, PEN Qendra e Kosovës përmes kumtesave, punimeve studimore e të debateve, do të përkujtojë veprimtarinë letrare dhe veprimtaritë tjera edhe të këtyre shkrimtarëve të ndjerë: Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj,Mensur Raifi dhe Mirko Gashi.

Mbrëmjet kushtuar 10 krijuesve të ndjerë do të mbahen gjatë tetorit dhe nëntorit.

Për veprën letrare të tyre, do të flasin njohës të krijimtarisë së tyre: Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Avni Spahiu, Sali Bashota, Anton Berishaj, Osman Gashi, Naime Beqiraj, Rrahman Paçarrizi, Ibrahim Kadriu, Agron Gashi, Gëzim Aliu, Qibrije Demiri, Lindita Tahiri, Haqif Mulliqi Adil Olluri, Flamur Maloku, dhe Binak Kelmendi.

Pas përfundimit të aktiviteteve, PEN Qendra do të botojë librin përmbledhës me kumtesat e autorëve dhe me punime letrare të shkrimtarëve të përkujtuar në këtë aktivitet kulturor.

Projektin “Ora e shkrimtarit” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.