Kosova

Opsionet e reja, takim pas takimi

Edhe takimi i tretë për këtë vit mes LVV-së e LDK-së ka përfunduar pa arritjen e marrëveshjes bashkëqeverisëse. Liderët e partive, Kurti e Mustafa, nuk u deklaruan për bisedimet, që në takimin e djeshëm zgjatën 3 orë. Por, sipas zyrtarëve të këtyre partive, në përpjekjet për arritjen e marrëveshjes tashmë do të ketë opsione të reja.

Tri takimet rresht mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafës kanë përfunduar pa dakordim për marrëveshjen bashkëqeverisëse. Ndonëse në takimin e së mërkurës krerët e të dyja partive deklaruan se ka pasur përafrim të qëndrimeve sa i përket marrëveshjes, në takimin e së enjtes asnjëri prej tyre nuk u deklarua për medie, pavarësisht pritjeve të gazetarëve. Por nga zyrtarët e partive u konfirmua se marrëveshja nuk u arrit dhe se për arritjen e saj tashmë do të ketë opsione tjera në tavolinë.

Para takimit treorësh të djeshëm kryetari i LVV-së u shpreh se janë duke bërë përpjekje për koalicion, porse lidhja e tij nuk varet nga ai. “Ka përpjekje për një marrëveshje. Po shkojmë të arrijmë marrëveshje, por nuk varet nga unë”, ka thënë shkurt Kurti. Se janë duke bërë përpjekje e ka konfirmuar edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. “Po mundohemi të arrijmë marrëveshje”.

Mirëpo të gjitha përpjekjet tashmë tremujore të të dyja partive, që dolën të parat në zgjedhje, kanë përfunduar pa rezultate konkrete, pavarësisht deklarimeve se ka dakordime e përafrime në qëndrime. Fillimisht pozita e presidentit ka qenë ajo që e ka stagnuar lidhjen e koalicionit LVV – LDK, pozitë kjo të cilën e kërkonte LDK-ja, por për Vetëvendosjen nuk ishte e negociueshme. Më vonë problem për marrëveshje u bë edhe zgjedhja e Glauk Konjufcës kryeparlamentar, gjë me të cilën nuk u pajtua LDK-ja, edhe pse në ditën e konstituimit të Kuvendit e votoi atë për kryekuvendar. Palët nuk kanë bërë të ditur nëse sot gjatë ditës do ta zhvillojnë një tjetër takim.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.