Kosova

Opozita dhe Limaj: Kuvendi ta caktoj kryenegociatorin për dialog

Partitë opozitare edhe një herë kanë deklaruar se Kuvendi i Kosovës, është institucioni i cili e cakton kryenegociatorin e bisedimeve me Serbinë, duke shprehur kundërshtimin e tyre që presidenti i Kosovës Hashim Thaci, të jetë në krye të dialogut. Një konstatim të tillë e ka bërë tashmë të qartë edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limja, i cili ka theksuar se nuk besojnë në dialog me individ dhe se nuk pranojnë dialog që nuk ka marrë miratimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një konferencë për media, ka theksuar se çdo marrëveshje e arritur nga dialogu në Bruksel kryesuar nga presidenti Hashim Thaçi është marrëveshje private e tij,pasi që sipas tij,është Kushtetuta ajo që I jep të drejtë Kuvendit të Kosovës të caktoj kryenegociatorin e bisedimeve me Serbinë.

Hoti ka theksuar se Kuvendi i Kosovës nuk ka diskutuar për këtë, pasi platforma e propozuar nga Qeveria është tërhequr mbrapa.

“Dialogu është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjet me Serbinë dhe dëshirojmë ta përshëndesim. Kuvendi I Kosovës nuk ka vendosur ende për këtë çështje pasi platforma është tërhequr nga Qeveria, ndërsa platforma e vitit 2011 e delegon Qeverinë”, ka thënë Hoti, duke shtuar se LDK-ja nuk e mbështet presidentin Thaci, që të zhvillojë dialogun me Serbinë.

“Ai nuk e përfaqëson vullnetin politik të Kosovës. LDK-ja si parti kryesore është e gatshme të marrë këtë proces të rëndësishëm për vendin, por këtë do ta marrim përmes votës së qytetarëve në zgjedhje. Çfarëdo marrëveshje që arrihet nga Thaçi nuk është valide”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër, edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, ka deklaruar se janë të gatshëm të marrin përgjegjësi për të marrë pjesë në dialogun me Serbinë.

Limaj nga Kuvendi i kësaj partie, dje ka ftuar të gjitha partitë tjera politike për të marrë pjesë në këtë dialog, përderisa, ka thënë se nuk besojnë në dialog me individ, dhe se nuk pranojnë dialog që nuk ka marrë miratimin e Kuvendit.

“Besojmë si Nismë që në qendër të çdo rezultati për të arritur objektivat dhe interesat e qytetarëve është dialogimi. Por, dialogim duke mbrojtur interesat e vendit tonë. Nisma është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj edhe në dialogun me Serbinë, që do të qonte në krijimin e një marrëveshje finale me shtetin serb”, ka thënë Limaj.

Ai ka deklaruar edhe një herë se duhet gjithëpërfshirje në këtë proces, dhe njëherit ka ftuar të gjitha partitë politike që të mos i ikin kësaj përgjegjësie, në mënyrë që ta ndërtojmë një konsensus dhe bashkë të marrim pjesë në këtë dialog.

“Ne nuk besojmë në dialog me individ, nuk pranojnë dialog që nuk është miratuar në Kuvend. Koha e fundit është që të bëhemi bashkë dhe të marrim përgjegjësi”, ka thënë Limaj.

Ndërkaq, zyrtarët e Lëvizja Vetëvendosje, kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me takimin që është mbajtur në Bruksel ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se Hashim Thaçi në Bruksel nuk është duke përfaqësuar shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj, por është duke përfaqësuar vetëm vetën e tij.

“Personi që i ka sjellë dëme vendit që nga paslufta po vazhdon avazin e vjetër ai sot pa legjitimitet dhe autoritet do të mbaj takime me Vuçiqin, dhe ne si Lëvizje e kemi kundërshtuar procesin e dialogut me Serbinë, dhe tani pas 7 vjetëve del që kemi pasur të drejtë në kundërshtimin e këtij procesi, ku para 6 viteve u tha që do të jetë thjeshtë një proces teknik dhe nuk do të diskutohet për çështje të brendshme me Kosovën, por në fakt ky ka qenë dialog politik”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka shtuar se Bashkimi Evropian duhet të dijë se Hashim Thaçi nuk e përfaqëson Republikën e Kosovës, sepse, siç ka thënë ajo “nuk ka legjitimitet dhe paraqet rrezik për vendin, sepse nuk duhet të përfaqësoj Kosovën”.

Përndryshe, dje në Bruksel ka filluar faza e re e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ishte një takim shumë i vështirë, megjithatë me tone pozitive për të gjetur një zgjidhje më të mirë për të dyja shtetet.

Ai ka thënë se në takim nuk kanë diskutuar për çështje konkrete, por është diskutuar se si do të shkojmë për rrugën përfundimtare të gjetjes së zgjidhjes për popujt tonë. Lumturije Bekaj/Kosova.Info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.