INTERVISTA

Om albanernas historia och språk
(Mbi historinë dhe gjuhën e shqiptarëve)

Shkruan: Bahtir LATIFI
U përkthye vepra e Johan Tunmanit në shqip e suedisht
(Disertacioni i mbrojtur në Lajpcig me 1774. Ishte i shkruar në gjuhën gjermane, e cila flitej atëherë. Atë e përktheu në gjuhën angleze miku ynë Robert Elsie. E përktheu në shqip dhe në gjuhën suedeze Hamit Gurguri, botuesi “Erik Hans” – Borås, Suedi 2020.)


Teologu e historiani suedez Johan Erik Tunmani (1746 – 1758) lindi në Toresund (regjioni Södermanland) dhe studioi në Uppsala (Suedi) dhe në Greifswald (Gjermani). Në vitin 1772 ai u emërtua profesor i katedrës së retorikës dhe filozofisë në Universitetin Halle (Gjermani), ku edhe mbrojti disertacionin e tij “Über die Geschichte und Sprache der Albaner und der Walachen – ” (Për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve dhe të vllahëve), Lajpcig (1774). Ky është një nga studimet më të hershme shkencore për shqiptarët, të cilët nuk ishin të njohur aq mirë nëpër Evropë në atë kohë. Pas një hyrjeje të shkurtër Johan Tunmani e ribotoi fjalorin latinisht-vllahisht-shqip të Teodor Kavaliotit nga Voskopoja edhe me ca shënime për gjuhën shqipe dhe vllahe. Pastaj Tunmani ofron një histori të shqiptarëve e cila për befasinë është e detajuar për atë periudhë.


Robert Elsie Vërejtjet e Ulmar Kvikut: Hamit Gurguri, e vërejti rëndësinë e veprës së madhe të Tunmanit që ajo të jetë tashmë e njohur edhe në atdheun e tij. Ai bëri përkthimin në gjuhë shqipe dhe suedeze, por Ulmar Kviku kreu një punë fort të çmueshme të redakturës të versionit suedisht, që teksti të jetë sa më i kuptueshëm edhe për lexuesit suedezë. Tunmani nuk shkroi për njerëzit e rëndomtë por për të diturit, që duhej të kishin dituri paraprake.


Lexuesi i nderuar do të hasë në disa fjalë të panjohura, para se gjithash për fiset dhe popujt që jetuan në Ballkan gjatë lashtësisë. Por, mu kjo të jep të kuptosh sa e komplikuar është historia e Ballkanit. Jo vetëm të gjitha ato luftëra, zaptime, dëbime popujsh, por poashtu gënjeshtrat e zaptuesve për të zmadhuar historinë e tyre, të cilat na habisin ne hulumtuesve të mëvonshëm për këtë pjesë të botës me historinë e tyre. Johan Tunmani bëri përpjekje të mëdha që të shpjegonte ngjarjet, por ne suedezët kurrë nuk mund të kuptojmë ato në tërësi.


Historia e të mundurve shpesh mbetet faqe e pashkruar. Por është me rëndësi, që ai sqaron për Ilirët e pasardhësit e tyre, shqiptarët, por ashtu edhe për vllahët dhe atdheun e tyre të vërtetë në Ballkan. Historianët sllavë mohojnë të vërtetën dhe shtirën kinse serbët e kroatët janë popujt e lashtë të rajonit. Një gënjeshtër politike me prostitucion shkencor! Të kuptojmë se: ishin vuajtjet e pa përshkruara nëpër të cilat kaluan këta popuj.- Diç që nuk duket janë; vrushkuj gjaku nga fiset, sunduesit, luftërat dhe kryengritjet, aleancat dhe tradhtitë, fitoret dhe disfatat.
Ulmar Kviku
Me këtë rast, me përkthyesin zhvilluam një bisedë për këtë vepër.


A mund të na shpjegoni për lexuesit tanë se kush ishte Johan Tunmani?


Erik Hans Tunman (1746–1778) – (Shkencëtar rreth prejardhjes së shqiptarëve)
Në Turesund, në veri të qytetit Mariefred (Suedi) me 23 gusht 1746 lindi një djalë, i cili do të jetë i pari i ditur, që shumë seriozisht do të interesohet për çështje të prejardhjes së shqiptarëve. Erik Hansi ishte biri i një prifti, i cili vdiq që në vitin 1757 dhe la pas veti 12 fëmijë, por kurrfarë pasurie. Erik Hansi i vogël herët u dallua për zgjuarsi dhe mençuri. Për të mori kujdesin një kushëri i nënës, i cili ishte konsull suedez në Smirna (Izmir) të Turqisë.


Me përkrahje të të afërmve Erik Hansi arriti të mësonte edhe gjuhën arabishte dhe vazhdoi studimet e tij në Suedi, ku studioi latinishten, greqishten e vjetër e historinë, pastaj edhe teologjinë në Upsallë. Ai ishte student lypës, që shpesh duronte urie – por literatura, para së gjithash ajo historike, i jepte atij një ushqim shpirtëror në mungesë të atij material. Pas studimeve në Upsallë,

Tunmani vajti në Gjermani, ku së pari ishte zëdhënës në Pomern, i cili ende i përkiste Suedisë. Pastaj u regjistrua në Halle, ku ai në moshën 23 vjeçare edhe magjistroi. Tri vjet më vonë u emërtua profesor i retorikës dhe filozofisë në Universitetin e Halles.


Në Gjermani ai u bë i njohur me emrin Johan Tunman.
Para vdekjes së tij të hershme, pra në moshën 32 vjeçare, ai i sëmurë, i shkatërruar nga vuajtjet dhe barra e punës së jashtë- zakonshme – ”ai dogji dritën e tij si qiriu i ndezur në të dy anët” – arriti të botonte një seri me punime shkencore, të cilat veçohen nga pjekuria e lartë, e gjerë, e thellë dhe me qëndrim vetëkritik.


Puna e tij parësore ishte: Hulumtime për histori të popujve të lindjes (Lajpcig, 1774), nga e cila u botua vetëm pjesa e parë.


Në këtë vepër në faqet 171 – 366 përfshihet edhe vepra e tij:
”Për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve dhe të vllahëve”.


Si u bë që atëherë suedezi Tunman të interesohet për çështjen, që deri atëherë ishte goxha e panjohur; prejardhja e shqiptarëve?


Duhet cekur faktin se qysh atëherë Universiteti i Halles me një bibliotekë të pasur tërhiqte studentë dhe hulumtues nga e gjithë Evropa. Në mesin e tyre, aty studionte edhe shqiptari Kostandin Xhehani, i cili erdhi aty në vitin 1700 nga qyteti aq i lulëzuar i Shqipërisë së jugut, Voskopojë, ku për kohën dhe për hapësirën, aty u zhvillua e lulëzoi një jetë jashtëzakonisht e begatshme kulturore. (Voskopoja u shkatërrua pas tri zjarreve të mëdha, i fundit ishte në vitin 1916, kur banorët emigruan). Xhehani ia dhuroi J. Tunmanit edhe fjalorin e Teodor Kavaliotit shqip-vllahisht-greqisht, botuar në Venedik (1770).


Kavalioti ishte mësimdhënës i gjuhës shqipe në Akademinë e Voskopojës, një vend diturie ku shqiptarët dhe grekët studionin bashkë. Fjalori i tij përmbante 1170 fjalë dhe përbën themelin për studimet e tij shqiptaro – vllahe të Tunmanit. Ai pati shumë ndihmë nga dituritë dhe përvoja e Xhehanit, i cili pati studiuar më parë në Lejden e Kembrixh dhe ishte këshillëdhënës i mirë i Tunmanit. Tunmani ia bashkëngjiti fjalorin e Kavaliotit veprës së tij, duke e begatuar edhe me përkthimin në latinisht. Ai, poashtu i bëri një analizë fjalorit nga pikëpamja etimologjike me theks të posaçëm për huazimet e fjalëve në gjuhën shqipe. Johan Tunmani shpjegon si çështjen kyçe të ilirëve e të shqiptarëve dhe erdhi në përfundimin se ilirët janë paraardhësit e shqiptarëve. Ai, theksoi:

“Unë në historinë e shqiptarëve nuk e gjeta asnjë gjurmë të një emigrimi të vonshëm: gjuha e tyre na ka dhënë njaso të dhënash e dëshmi për bastin e popullit, që unë nuk mund të mohoj se janë fqinjët e grekëve dhe shtetas të Romës antike. E të dy rastet janë në përputhje me ilirët.”
Tunmani me studime historike e gjuhësore arriti ta plasonte gjuhën shqipe në mes të gjuhës ilire dhe trake. Ai erdhi edhe deri te përfundimi se fiset trake jetuan në hapësirat e ilirëve. Në bazë të studimeve të emrave të vendbanimeve dhe të viseve natyrore, erdhi deri te përfundimi se shqiptarët kanë prejardhje nga ilirët, por edhe me pakëz përbërje trake.
Shkenca moderne albanologjike e pranon se, tezat e Tunmanit, kryesisht qëndrojnë mirë krahas me hulumtimet bashkëkohore.


Suedia e suedezët mund të krenohen se Tunmani, zakonisht njehsohet albanologu i parë me rëndësi. Me siguri hulumtimet e tij do të arrinin rezultate edhe më të mira, po të jetonte më gjatë.


Fatkeqësisht, asnjë nga shkencëtarët suedezë pas tij nuk tregoi interesim të ngjashëm për studime të çështjeve shqiptare.


Çka ishte motivi që ju shtyri të përktheni Tunmanin në shqip e suedisht?


Emrin e këtij shkencëtari e kam dëgjuar që moti, por mendoja se ai tashme është i përkthyer, bile në atdheun e tij, në Suedi. Shkaku që më shtyu të angazhohem për këtë vepër ishte deklarata e akademikut Jovan Deretiq, anëtari i Akademisë së Shkencave të Rusisë në St. Petersburg, i cili para disa muajsh në një sesion të lartë shkencor para shkencëtarëve të Evropës doli me tezën e tij se: “Është gënjeshtër e shkollës së Vjenës, që shqiptarët janë pasardhës të ilirëve. I pari që gënjeu ishte gjermani Johan Tunman!”
Johan Tunman as që ishte gjerman. Ai ishte suedez. Kjo më nxiti që ta hulumtoj, ta gjej dhe ta përkthej këtë shkencëtar të vyer, entuziast dhe sa më duket mua, ai ishte largpamës për kohën e tij, bile edhe prijës.
Sa është i njohur Tunmani ndër shqiptarët?

Jam i sigurtë se albanologët tanë të cilët kanë studiuar në Gjermani e Austri, ata kanë patur qasje në këtë punim, por nuk janë marrë me të. Si emër përmendet në disa nga penat tona të njohura, por ashtu kalimthi. Ky është punimi i tij për historinë tonë.


Sa është Tunmani i njohur në Suedi?


Fatkeqësisht pak, shumë pak, të mos them fare. Personi i parë tek i cili u orientova të pyesja ishte Ulmar Kviku. U befasova kur edhe ai më tha se nuk ishte askund i botuar, as i sistemuar në Suedi?! Ishte edhe një motiv që të hulumtoj dhe ta gjej këtë vepër të këtij njeriu, i cili ndër të parët që mori guximin (por ma thotë mendja se ai kishte edhe dashurinë për gjuhën dhe historinë tonë).


A patët vështirësi gjatë përkthimit?


Çdo herë kur marr diçka të përkthej, më vjen përpara Fan Noli ynë i madh, poliglot. E gjeta se miku i ynë kanadez e pati përkthyer historinë në anglisht, por jo fjalët nga gjuha latine (afro 100), as ato greke (25) dhe krahasimi i tyre. As unë nuk i mora fjalët dhe pjesën për analizën rreth depërtimit të këtyre fjalëve në shqip, pas nuk jam gjuhëtar dhe mund të gaboja, qoftë në sqarimin, qoftë në interpretimin e tyre.
Jeni i kënaqur me punën tuaj?


Po. Ndjehem i nderuar që pata rastin, si i pari shqiptar ta përkthej këtë mik, këtë shkencëtar të hershëm, i cili mori barrën që aq herët t’i hyjë një lëmie ende të njohur aq pak në rrethet shkencore të Evropës. Gjatë përkthimit, duke përkthyer fjalë për fjalë, ngadalë e me kujdes, ndjeja sikur edhe unë isha një nxënës i tij, pranë tij dhe përpiqesha të isha shumë i kujdesshëm. Më besoni, si të kisha diçka të brishtë përpara vetit, aq sillesha me angazhim shpirtëror dhe intelektual më këtë vepër. Përpos që mësova shumë gjëra, shumë risi nga lashtësia e jonë, ndjeva krenari se edhe antika, edhe

mesjeta nuk janë të humbura, aq më mirë që këto i radhiti, ani se ai vetë thotë nuk është e sistemuar mirë, një shkencëtar jo shqiptar, aq larg nga ne, ndryshe nga hapësira jonë.


Kush është interesuar për këtë libër?


Së pari ishte Biblioteka Mbretërore e Suedisë, që këtu ka rolin e kombëtares. Të gjashtë bibliotekat universitare të Suedisë (Stokholm, Lund, Linqoping, Goteborg, Upsala dhe Ymeo). Akademia e Shkencave të Suedisë, disa rrethe të lëmisë së arsimit të Suedisë e Norvegjisë dhe natyrisht disa nga bashkëkombësit tanë.


Po në viset shqiptare, a ka arritur?


Personalisht, me këshillën e një miku e kam dorëzuar në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, në Institutin Albanologjik dhe në Akademinë e Shkencave (nga tre ekzemplarë). Në Tiranë, në Bibliotekën kombëtare. Nuk arrita të kontaktoj një botues në Shqipëri, që të merrte përsipër shtypjen dhe shpërndarjen e këtij libri më tutje.
Kujt do t’ia preferonit këtë libër?
Nuk është libër voluminoz. Është i lehtë për t’u kuptuar në të shtrohet një kohë e gjatë e historisë sonë. Mendoj se do të ishte me vlerë që ta kishte çdo familje, apo së paku çdo bibliotekë shkollore nëpër viset tona.


Deri më sot çka keni përkthyer?


Nga suedishtja në shqip kam përkthyer serinë e katër romaneve të Vilhelm Muberjit për mërgatën suedeze për në Amerikë, dy libra të August Strindberjit, “Sëmundjen mistike”, të Joran Vaseniusit (për helmimet e fëmijëve në Kosovë) dhe librin me lajme, reportazhe dhe

vështrime me titulluar “Raport për Kosovë”. Ndërsa tashti sapo përfundova një libër për të rinj, i cili titullohet “Prite erën”, me porosi të Shtëpisë botuese.
Çka keni përkthyer nga gjuha shqipe në suedisht?

  1. Librin me poezi të Dritëro Agollit “E bukura, lozonjarja, tokësorja grua”.
  2. LibrinmepoezitëIbrahimKadriut“Udhëkryqet”.
    Pos tetë romaneve të botuara në suedisht, çka keni në plan?
    Librin e nëntë, për të cilin po pres përgjigje nga një botues i njohur!
    Para afro një muaji ju e morët edhe një shpërblim, cilin?
    Po, Lidhja e Shkrimtarëve të Suedisë, më ndau bursë në shumën prej 60.ooo koronash (afro 6.000 €), që është edhe një stimulim për mua, sepse të ju them të vërtetën, unë sivjet mendoja ta rrumbullakësoja, ose ta përfundoja tashmë krijimtarinë time, pasi i kalova të 70-tat./ Kosova.info