SPORT

Old Trafford drejtë ndryshimeve

Manchester Unitedi ka aplikuar për vendosjen e parmakëve të hekurit para rreth 1,500 ulëseve në stadiumin Old Trafford, në mënyrë që tifozët të ndihen sa më të sigurt kur të ngrihen në këmbë gjatë ndeshjeve.

Manchester Unitedi, që është njëri ndër klubet që e ka mbështetur më së shumti iniciativën për t’ia ofruar tifozëve kushtet që të ngrihen në këmbë në mënyrë të sigurt gjatë ndeshjeve, e kishte parashtruar kërkesën në Grupin Këshillues për Siguri në dhjetor të vitit 2019.

Klubi ka propozuar t’i zëvendësojë disa ulëse ekzistuese në qoshen veri-lindore të stadiumit me ulëse që janë të pajisura me parmakë hekuri.

Tifozët që kanë biletë sezonale në atë pjesë të stadiumit janë njoftuar se ulëset e reja do të testohen më vonë gjatë këtij sezoni.

Manchester Unitedi ka insistuar se instalimi i ulëseve me parmakë të hekurit do t’u japë tifozëve më shumë siguri në pjesët e stadiumit ku zakonisht ata qëndrojnë në këmbë, për ta mbështetur skuadrën e tyre.

Grupi Këshillues për Siguri është ende duke e shqyrtuar kërkesën e Manchester Unitedi dhe nuk ka marrë ende vendim.

Tottenhami i ka instaluar disa ulëse në stadiumin e ri të cilët shumë lehtë mund të bëhen të përshtatshme për parmakë të hekurit, ndërsa Wolves planifikon ta rinovojë stadiumin e vet këtë verë dhe të shtojë parmakë para ulëseve.