OKB: Situata humanitare në Liban është më e keqe sesa në luftën e 2006-ës

Kombet e Bashkuara kanë thënë se situata humanitare në Liban është më e keqe sesa gjatë luftës së fundit kundër Izraelit, 18 vjet më parë.

“Situata humanitare në Liban i ka tejkaluar nivelet e ashpërsisë së luftës më 2006”, ka thënë Zyra e OKB-së për Ndihmë Urgjente (OCHA) të dielën.

“Situata është përshkallëzuar sërish në ditët e fundit, ushtria izraelite është duke lëshuar urdhra për zhvendosje të banorëve nga Baalbek dhe Nabatieh, pak para se të sulmohen këto lokacione”.

Zyra e OKB-së ka thënë se përveç të vdekurve, situata është vështirësuar edhe nga “shkatërrimi i infrastrukturës kritike, përfshirë kujdesin shëndetësor, meqë shumë spitale janë të mbingarkuara dhe kanë nevojë urgjentisht për gjak”.

Lufta aktuale mes Izraelit dhe Hezbollahut – grup të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – ka nisur në tetor të vitit të kaluar.

Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, ka nisur të sulmojë Izraelin, si shenjë mbështetjeje për aleatin palestinez Hamasin – po ashtu të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Më 7 tetor të vitit të kaluar, Hamasi ka kryer sulm në jug të Izraelit, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë.

Izraeli, më pas, ka nisur luftën në Gazë, me qëllim të shkatërrimit të grupit.

Si pasojë e fushatës izraelite në Gazë janë vrarë më shumë se 43.000 njerëz, shumica gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Prej ofensivës së nisur nga Izraeli në Liban, në fillim të tetorit, janë vrarë të paktën 2.890 njerëz, sipas autoriteteve libaneze.

Go to TOP