OKB: Kriminelët sigurojnë fitim prej 236 miliardë dollarësh nga puna e detyruar

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) thotë se shuma e fitimeve të paligjshme nga puna e detyruar ka arritur në 236 miliardë dollarë në vit. Shifra është përfshirë në një raport që u publikua të martën në Bruksel. Organizata e Punës thotë se kjo shifër është e ngjashme me Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendeve anëtare të BE-së si Letonia apo Kroacia dhe tejkalon të ardhurat e kompanive të teknologjisë si ‘Microsoft’ apo ‘Samsung’.

Sipas raportit, i cili u publikua gjatë një konference shtypi në Bruksel nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), tre të katërtat e rasteve kur migrantët janë privuar nga paratë që mund të merrnin, kanë qenë për shkak të abuzimit seksual. Puna e detyruar, sipas raportit, gjithashtu lejon kriminelët, që përfitojnë prej saj, të shmangin taksat.

Përfitimet e kriminelëve që detyrojnë migrantët të bëjnë punë kundër vullnetit të tyre kanë shkuar në 236 miliardë dollarë.

Duke folur në prezantimin e raportit, anëtari gjerman i Parlamentit Evropian, Bernd Lange tha se puna e detyruar kishte “ndikim serioz ekonomik”.

“Njerëzit që punojnë në fabrika po humbasin miliarda dollarë dhe kjo nuk po siguron të ardhura për vendet. Pra, ka vërtet një ndikim serioz ekonomik”, tha zoti Lange.

Drejtoresha e Departamentit të Kushteve të Punës dhe Barazisë te Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) Manuela Tomei e quajti shumën e përfitimeve të paligjshme prej 236 miliardë dollarësh “të turpshme”.

“Kjo shumë është sa Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendeve si Letonia apo Kroacia. Ajo madje tejkalon të ardhurat e kompanive gjigante të teknologjisë si ‘Microsoft’ apo ‘Samsung’. Por prapa këtyre shumave marramendëse ka vuajtje njerëzore”, tha ajo.

Organizata Ndërkombëtare e Punës e përkufizon punën e detyruar si punë që imponohet kundër vullnetit të punonjësit dhe kryhet si formë ndëshkimi apo kërcënimi. Mund të ndodhë në çdo fazë të punësimit: gjatë rekrutimit, në kushtet e jetesës që lidhen me punën ose duke i detyruar njerëzit të qëndrojnë në një vend pune të cilën ata duan ta lënë.

“Një nga format më të zakonshme të punës së detyrueshme është mos dhënia e qëllimshme e pagave. Kjo shpesh shoqërohet me kërcënime për abuzim fizik ose seksual, si dhe privim nga nevojat themelore. Pasojat e punës së detyruar shtrihen deri tek familjet që shohin se fitimet e tyre, që iu duhen për t’i ndihmuar të përballojnë mbijetesën, zhduken. Ky është veçanërisht rasti për punëtorët migrantë që nuk janë në gjendje të dërgojnë para tek familjet e tyre”, thotë zonja Tomei.

Rreth 27.6 milionë njerëz ishin të përfshirë në punë të detyruar në vitin 2021, një rritje kjo prej 10% nga pesë vjet më parë, thotë Organizata Ndërkombëtare e Punës. Rajoni i Azi-Paqësorit përfshin më shumë se gjysmën e rasteve, ndërsa Afrika, Amerika dhe Evropa së bashku me Azinë Qendrore përfaqësonin secila rreth 13% deri në 14%.

Go to TOP