Kosova

OKB-ja u kërkon dëshmi Emirateve Arabe që Princesha Latifa është gjallë

Zyra për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara u kërkoi Emirateve të Bashkuara Arabe dëshmi se vajza e kryetarit të Dubait, Princesha Latifa, është gjallë.

Në videot që i kishte incizuar fshehurazi e që i publikoi televizioni BBC, Princesha Latifa e akuzoi babanë e vet se po e mban peng në Dubai që nga koha kur ajo ishte përpjekur të ikte më 2018.

Latifa në video thotë se është ngujuar në një vilë të shndërruar në burg, dritaret e të cilës nuk mund t’i hap. Për më tepër, ajo thotë se ka frikë për jetën e vet.

Pamjet e publikuara nga miqtë e princeshës nxitën thirrje të shumta që Kombet e Bashkuara të zhvillojnë hetime për këtë rast, ndërsa Britania e Madhe ka thënë se do ta përcjellë çështjen për së afërmi.

Babai i Princeshës Latifa, Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, është një nga udhëheqësit më të pasur në botë, kryetar i Dubait dhe nënpresident i Emirateve të bashkuara Arabe, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Pak ditë më parë, kërkesën për të paraqitur dëshmi se Latifa është gjallë ndaj Emirateve e bëri edhe Britania e Madhe përmes ministrit të Punëve të Jashtme, Dominic Raab.