Bota

OKB: Amerika e Jugut është epiqendra e re e pandemisë së COVID-19

Amerika e Jugut është një epiqendër e re e pandemisë së re të koronavirusit, me një situatë veçanërisht alarmante në Brazil, paralajmëroi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Amerika e Jugut është bërë një epiqendër e re e sëmundjes. Ne shohim që numri i rasteve po rritet në shumë vende të saj. Shqetësimi ka të bëjë me shumë prej këtyre vendeve por qartazi më i prekuri në këtë fazë është Brazili”, tha shefi i Urgjencave i OBSH-së, Michael Ryan.

Ndërkohë që Europa, ku COVID-19 vrau më shumë se 170 000 persona, po përparon drejt normalizimit të ngadaltë, Amerika e Jugut po regjistron një përparim të pashpjegueshëm të pandemisë, me pasoja të tmerrshme të parashikueshme përsa i përket ekonomisë dhe punësimit.

Sipas OBSH-së, Brazili ka gati 300 000 raste infektimi dhe 19 000 vdekje nga COVID-19 për 210 milionë banorë.

Ajo liston atë në vendin e tretë në botë për numrin e rasteve, pas SHBA-së dhe Rusisë.