Kosova

OJQ-të i gëzohen Ligjit që ndalon tjetërsimin e qindra miliona eurove të këtij sektori për bizneset

Me 66 vota për, Kuvendi i Kosovës votoi sot Ligjin e ri për OJQ-të, ashtu siç kishin kërkuar vetë organizatat e shoqërisë civile, për të mos lejuar tjetërsimin dhe manipulimin me asetet.

Më shumë se 30 OJQ ishin bërë bashkë në këtë kërkesë.

Kësisoj, Ligji i ri është në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.

Në një komunikatë për media nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, thuhet se “më shumë se pesë muaj pasi që miratoi një version jashtëzakonisht problematik, Kuvendi i Kosovës sot votoi amandamentet e propozuara nga Zyra e Presidentit të Kosovës në Ligjin për OJQ, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare dhe kërkesat e shoqërisë civile”.

“Që nga nëntori 2018, rreth 300 organizata të shoqërisë civile ishin bashkuar për të parandaluar rrezikun që i kanosej sektorit të shoqërisë civile dhe demokracisë kosovare nga ky ligj. Pas kërkesës së suksesshme për Presidentin e Kosovës që ta kthejë këtë ligj në rishqyrtim në Kuvend, këto organizata ndërmorën një fushatë intensive të informimit të të gjitha grupeve parlamentare lidhur me problemet e këtij ligji të paprecedentë në Evropë dhe më gjerë, dhe me pasojat që mund të shkaktohen nëse nuk kthehen dispozitat e drejta”, thuhet në komunikatën e KCSF-së dhe 284 organizata jo-qeveritare pjesë të nismës për Ligjin për OJQ.

“Në përkrahje të kërkesave të shoqërisë civile u bashkuan edhe një numër i madh i ambasadave të vendeve perëndimore në Kosovë, BE-së, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve tjerë vendorë e ndërkombëtarë. Organizatat e shoqërisë civile pjesë të kësaj nisme vlerësojnë reflektimin e partive politike parlamentare pas argumenteve të shoqërisë civile, duke parandaluar faljen e qindra miliona eurove të pasurisë së përbashkët për bizneset private dhe rrezikimin e të ardhmes së të gjithë sektorit”, thuhet më tej në njoftim.

Në lidhje me këtë ka shkruar edhe kreu i shtetit Hashim Thaçi. Ka thënë se liria e Asociimit dhe funksionimit të Organizatave Joqeveritare është bazike për forcimin e demokracisë dhe çdo shoqërie civile.

“I falënderoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin me rekomandime të mia të Ligjit për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare, të cilat ishin në përputhje me shqetësimet e vetë përfaqësuesve të shoqërisë civile në vendin tonë”, ka thënë Thaçi.

“Është qenësor respektimi në plotni i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për grupime dhe organizime të ndryshme, në përputhje të plotë me vlerat perëndimore dhe frymën e Kushtetutës sonë!”, ka shtuar më tej ai.