Kosova

OIK-u me një minutë heshtje për infermierët që humbën jetën me COVID-19, mbajtën online Kuvendin e V-të

Oda e infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë, pavarësisht rrethanave të krijuara nga pandemia, ka përmbushur detyrimet e saj ligjore. Licencimi dhe ri-licencimi vazhdojnë të jenë funksionet kryesore të OIK-ut, procese këto që kanë vazhduar normalisht, falë platformës online të OIK-ut.

Kështu thuhet në një njoftim nga OIK, të cilët mbajtën sot një takim online të Kuvendit të V-të me anëtarët e saj.

Sipas njoftimit mbledhja e V-të e Kuvendit të Odës së infermierëve mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë (OIK) ka filluar me një minutë heshtje për infermierët që humbën jetën në betejën kundër virusit COVID-19.

“Kësaj radhe, për shkak të situatës pandemike, takimi i mbi 160 anëtarëve u bë nga distanca, përmes platformave online”, thuhet në njoftim.

Naser Rrustemaj, kryetar i OIK-ut, siç bëhet e ditur në njoftim para anëtarëve të Kuvendit, ka thënë se ky ishte një vit ndryshe, me humbje të mëdha dhe të pakthyeshme për komunitetin infermieror.

“Një numër i anëtarëve tanë humbën jetën e mijëra tjerë u infektuan derisa ishin në luftë me virusin COVID 19. Ne do t’i kujtojmë gjithë ata kolegë që humbën jetën nga virusi COVID 19, me pietet e krenari, për sakrificën sublime në luftë për shëndetin”, ka thënë Rrustemaj.

Ai ka shtuar se në këtë situatë të rëndë, më e pakta që ka mundur të bëjë OIK, ka qenë një ndihmë simbolike në shenjë solidariteti me familjarët e infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë që humbën jetën nga virusi.

Kështu, gjatë këtij viti, ndonëse kufizueshëm, sipas Rrustemajt, OIK është përpjekur të jetë pranë anëtarëve të saj.

“Nuk jemi ndalur së kërkuari nga Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet shëndetësore në vazhdimësi shtimin e numrit të infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë, në tri nivelet e sistemit shëndetësor. Shkaku i pandemisë, kemi zvogëluar edhe kuotën e pikëve për rilicencim. Në asnjë moment, nuk jemi ndalur që edhe përmes mediave të sensibilizojmë çështjet që ndërlidhen me pandeminë.  OIK, edhe këtë vit, çdo moment ka avancuar platformën digjitale, duke synuar të jetë sa më afër Jush me shërbime.  Kjo ka ndihmuar në kryerjen e procedurave, duke iu shmangur kontakteve të dyshimta me Covid, por edhe udhëtimeve nga qytetet e largëta”.

Licencimi dhe ri-licencimi vazhdojnë të jenë funksionet kryesore të OIK-ut, procese këto që kanë vazhduar normalisht. Risi, këtë vit, sipas Rrustemajt, paraqet licencimi i psikologëve klinikë. “OIK mbi të gjitha ka vendosur standarde të reja të qeverisjes efektive, transparente dhe llogaridhënëse në raport me gjithë anëtarësinë”, ka thënë Rrustemaj. /Telegrafi/