Kosova

Oda e Mjekëve i reagon Albena Reshitaj e cila tha se është fat që aksidenti i Kroacisë nuk ka ndodhur në Kosovë

Oda e Mjekëve të Kosovës i ka reaguar deputetes së AAK’së, Albena Reshitaj e cila gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se fat në fatkeqësinë në Kroaci ka qenë se aksidenti ka ndodhur atje e jo në Kosovë, pasi që siç ka thënë ajo, do të kishte dyfish më shumë viktima.

Nga kjo Odë kanë thënë se është për tu çuditur se si Reshitaj ka gjetur fatmirësi në një fatkeqësi në kurriz të profesionistëve shëndetësorë.

“Deklarimet e deputetës, znj. Albena Reshitaj të bëra më datë 27 korrik 2021, në Komisionin Parlamentar për Inftrastruktur dhe të transmetuara në mediat, e cila lidhur me aksidentin e ndodhur në Kroaci në të cilin kanë pësuar mërgimtarët tonë, thotë se ka qenë fat në fatkeqësi që tragjedia ka ndodhur në Kroaci e jo në Kosovë, pasi që sipas saj, do të kishte dyfish më shumë viktima. Është për tu çuditur se si deputetja Reshitaj ka gjetur insipirim që të gjej fatmirësi në një fatkeqësi të tillë në kurrizë të profesionistëve shëndetësorë dhe sistemit shëndetësor sado i brisht të jetë ai”, është thënë nga kjo Odë.

Oda e Mjekëve ka përmendur tërmetin e Gjilanit, eksplodimin në Ferizaj, helmimet në Deçan, pandeminë COVID-19 e raste të tjera, në të cilat sipas tyre është treguar profesionalizmi i profesionistëve shëndetësorë.

“Respektin më të madh për kolegët tonë kroat, por dëshirojmë të përkujtojmë deputetet se janë po këta mjekë e profesionistë të tjerë shëndetësor që janë ballafaquar në mënyrë të shkëlqyeshme me pasojat e ngjarjeve të marsit 2004, të helmimit të mbi 40 ushtarëve të UCCPMB, tërmeti i Gjilanit, eksplodimi në Ferizaj, së fundmi me pandeminë COVID-19 në kushte minimale të punës, ballafaqimin me rastin e helmimit masiv në Komunën e Deçanit dhe shumë raste të tjera në të kaluarën, në të cilat jo vetëm se është treguar profesionalizmi i profesionistëve shëndetësor, por mbi të gjitha vullneti dhe forca humane e mbivërtetuar deri më tani. Në gjitha këto ngjarje në pararojë qëndronte shërbimi jonë emergjent”, është thënë në reagimin e kësaj Ode.