Bota

OBSh-ja mban takim urgjent në Pekin pas përhapjes së koronavirusit

Kryetari i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom, do të zhvillojë sot një takim të veçantë me zyrtarët në Pekin për të diskutuar rreth masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, nga i cili kanë vdekur 81 persona dhe 400 të tjerë janë në gjendje të rëndë.

Javën e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë vendosi që të mos e shpallë gjendjen emergjente ndërkombëtare, por premtoi se do ta përcjellë situatën për së afërmi, shkruan “The Guardian”.

Rreth 17 qytete kineze kanë marrë masa të ashpra për kufizimin e lëvizjes së banorëve nga frika për përhapjen e mëtutjeshme të virusit vdekjeprurës. Të hënën, masa të tilla mori edhe komuna Chongqing, në të cilën jetojnë 30 milionë banorë.

Në tërë Kinën, rreth 50 milionë njerëz u janë nënshtruar masave parandaluese, përfshirë qytetin Wuhan, ku u regjistruan rastet e para të virusit. Në këtë qytet është ndaluar qarkullimi i veturave dhe trenave si dhe fluturimet e aeroplanëve.

Të dielën në mbrëmje, kryetari i Wuhan-it tha se parashikon rreth një mijë raste të reja dhe njoftoi se pesë milionë banorë janë larguar nga qyteti para se të vendoseshin masat kufizuese.

Virusi tashmë është përhapur edhe në shumë vende të tjera. Shtetet e Bashkuara dhe Australia i kanë konfrimuar nga pesë raste secila dhe pacientët i kanë vendosur në izolim të plotë.