Kosova

Osmani takon Bregun, konfirmohet gatishmëria për avancimin e bashkëpunimit rajonal

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, znj. Majlinda Bregu, e cila e ka uruar për marrjen e detyrës dhe ka konfirmuar gatishmërinë për vazhdimin e punës së përbashkët në drejtim të avancimit të bashkëpunimit rajonal.

Ndërkaq, Presidentja Osmani theksoi se e vlerëson punën e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal drejt rritjes së bashkëpunimit rajonal dhe ndihmës drejt përmbushjes së perspektivës euro-atlantike të rajonit tonë.

”Puna juaj sigurisht ka kontribuar në përmirësimin e jetës së njerëzve në rajonin tonë dhe po vazhdon ta bëjë këtë me iniciativa të ndryshme inovative, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, theksoi Presidentja Osmani.

Të dy palët u dakorduan për të vazhduar shkëmbimin dhe komunikimin, gjersa diskutuan për mundësitë dhe hapësirën për bashkëpunim më të ngushtë në fushën e inovacionit, digjitalizimit dhe agjendës së gjelbër. /Kosova.info/