EKONOMI

OAK: Të mos ketë asnjë kufizim pa përkrahje paraprake financiare

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), kërkon nga institucionet e Kosovës që asnjë kufizim apo mbyllje totale e bizneseve të mos bëhet pa përkrahje paraprake financiare. Reagimi i OAK, vjen pas paralajmërimit të masave të reja për të vënë nën kontroll përhapjen e koronavirusit,

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka bërë të ditur se pas takimit të së shtunës me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia është diskutuar për mbyllje të lokaleve të gastronomisë nga data 06 deri më 18 prill.

“Oda e Afarizmit konsideron që sektori privat aktualisht është shumë i rënduar si rezultat i pandemisë, andaj nuk ka kapacitete që të përballoj i vetëm pasojat e mëtutjeshme shkaktuar nga pandemia, ku si rezultat i mospërkrahjes financiare bizneset e kanë të pamundur që të mbajnë në punë numrin e të punësuarve që kanë pasur deri më tani”, thuhet në reagimin e OAK-së.

Mbyllja është kundërshtuar edhe nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe Shoqata e Gastronomëve.

Numri i rasteve të reja me COVID-19, ka shënuar rritje javëve të fundit në Kosovë.

Autoritetet shëndetësore që nga fillimi i rritjes së numrit të rasteve, kanë theksuar se ka mbingarkesë të kapaciteteve spitalore.

Që prej 13 marsit 2020, e deri më 2 prill, 2021 Kosova ka regjistruar 92.975 raste me COVID-19. Prej tyre, 1.906 pacientë kanë humbur jetën ndërsa 76.968 janë shëruar.