EKONOMI

OAK delegon sfidat e bizneseve te Kryetari Gjini

Sfidat të cilat po hasin bizneset anëtare në Komunën e Gjakovës dhe krijimi i linjave të komunikimit ishin arsyet kryesore të takimit të realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) dhe Kryetarit të Komunës së Gjakovës Ardian Gjini.

Kryetari i bordit të OAK-së Skënder Krasniqi prezantoi disa nga çështjet që oda është duke trajtuar, e ku theks të veçantë i kushtoi rëndësisë së Ligjit për Tregti të Brendshme, i cili do t’i mundësonte komunave të kenë kontrolle për llojin e biznesit që hapet në komunë, gjë e cila do të mbronte bizneset aktuale dhe do të ndihmonte në orientimin e investimeve.

Ndërsa përfaqësuesi nga “Scan Color – JYSK” SH.P.K., Edon Fishekqiu theksoi që JYSK është për të respektuar festat zyrtare, mirëpo kërkoi që për disa nga ato siç është 2 janari dhe 9 maji – dita e Evropës të ju mundësohet të punojnë, kjo pasi që po shkakton humbje të mëdha për Jysk – dega në Gjakovë.

Tutje, Fishekqiu veçoi disa nga problemet që kohëve të fundit janë duke i hasur me Inspektoratin e Tregut të Gjakovës, e të cilat Jysk i ka të caktuara me franchize dhe nuk mund t’i ndryshojnë.

Koordinatorja e Odës së Afarizmit të Kosovës Qëndresa Ibrahimi veçoi problemin e një nga bizneset anëtare sipas së cilit Komuna e Gjakovës është e vetmja që kërkon dokumentin e vlerësimit të riskut për vendosje të penelave solare, gjë e cila bënë që të ngritët çmimi i një sistemi solar dhe e vë në pozitë të pabarabartë me konkurrentët e tjerë.

Kryetari Gjini falënderoi OAK-në për takimin dhe shtoi që Komuna e Gjakovës është e interesuar që të ftoj sa më shumë biznese dhe t’i përkrah ato. Lidhur me çështjen e festave zyrtare ai tha që duhet të respektohen komunitetet, dhe kjo është arsyeja pse Komuna e Gjakovës ka këtë rregullore, pasi që edhe besimet fetare janë të shumta, mirëpo me kërkesa të biznesit dhe duke respektuar kriteret e parapara, bizneseve mund të ju lejohet puna edhe gjatë këtyre ditëve.

Problemet me Inspektoratin e Tregut dhe kërkesa për dokumentin e vlerësimit të riskut, Gjini theksoi që do t’i trajtoj në afat sa më të shkurtë kohorë, dhe ndër të tjera u fokusua tek zhvillimi që Komuna e Gjakovës ka arritur që nga koha e qeverisjes së tij.

Në fund të këtij takimi, palët u dakorduan që të bashkëpunojnë në çdo çështje e cila shpie në rezultate më të mira për bizneset.

Në këtë takim Oda e Afarizmit të Kosovës u përfaqësua nga: kryetari i bordit Skënder Krasniqi, anëtari i bordit Diamant Elshani, koordinatorja Qëndresa Ibrahimi, zyrtaret Mirjeta Shala dhe Rreze Cana, përfaqësuesit e biznesit “Scan Color – Jysk” SH.P.K. Edon Fishekqiu, Arbër Paçarizi dhe Selim Murtezi, dhe nga “HIB Petrol” Astrit Topalli.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483