KULTURË

“O moj Shqipëri” luhet në Kosovë në 20-vjetorin e Çlirimit

Shfaqja “O moj Shqipëri” është premiera që kthen në Baletin Kombëtar të Kosovës koreografin e mirënjohur shqiptar Pullumb Agalliun. Për të shënuar 20-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, Agalliu tematikën e kësaj shfaqjeje e orienton në tri faza përmes të cilave ka kaluar populli shqiptar.

Premierës, që jepet sonte në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, i parapriu një konferencë për medie, në të cilën koreografi Agalliu sqaroi se te baleti “O moj Shqipëri” ndërlidh temën e koreografisë së tij me poemën e Pashko Vasës “O moj Shqypni” dhe manifestin ideologjik të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”. Këtë Agalliu tha para gazetarëve se e ka bërë duke e ndarë në tri pjesë koreografinë e tij, me motive atdhetare dhe aleancës perëndimore. “Duke marrë kompozitorë të shquar të rapsodisë shqiptare dhe simfoninë e IX të Beethovenit, që i përgjigjet hyrjes së aleancës së NATO-s në Kosovë, koreografia trepjesëshe është një poemë, diçka filozofike, që po arrin drejt qëllimit të saj”, u shpreh koreografi Pullumb Agalliu.

Nga besimi që ka krijuar ndër vite në Trupën e Baletit të Kosovës ai konsideron si fat që ka marrë përsipër bashkëpunimin me ta për një shfaqje feste si kjo. “Me kënaqësi do t’i them disa fjalë. Kjo është një kërkesë para disa muajve që më ka bërë zoti Ahmeti, ishte kënaqësi e veçantë njëkohësisht dhe për mua është fat i madh, e mora shumë seriozisht këtë shfaqje dhe kam punuar gjatë gjithë kohës që të vij sa më i përgatitur duke pasur parasysh se edhe koha ishte e shkurtër, edhe Trupa e Baletit aktive me shumë premiera. Me thënë të drejtën unë kisha një besim se kjo Trupë e ka dëshmuar veten jo një herë, por disa herë me talentin dhe me mundin e tyre japin shfaqje shumë të dinjitetshme, edhe ardhja ime këtu ishe shumë me kënaqësi dhe isha shumë i sigurt se kjo punë do të mbarojë si është më së miri”, u shpreh Agalliu.

Sipas tij, meqë kjo shfaqje i dedikohet njëzetvjetorit të Çlirimit të Kosovës, është poentë koreografike që është ndarë në tri pjesë: Shqipëria e lumtur, Shqipëria e zakonshme, që gjithmonë na kanë copëtuar, dhe pjesa e tretë çlirimi, ndihmën të cilën na ka dhënë NATO-ja për çlirimin e plotë.

vlerëson se nuk është ide e thjeshtë, por me punë dhe me këmbënguljen e Trupës nuk kanë hasur në ndonjë vështirësi, kanë dhënë një kontribut të shkëlqyeshëm dhe do të jetë spektatori ai që do ta bëjë vlerësimin.