Kombëtare

Nxënësit e komuniteteve RAE, mësojnë në klasë të ndarë në Mitrovicë të Veriut

Jetojnë në Mitrovicën e Jugut, por mësimet i ndjekin në atë të Veriut.

Nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptias, të cilët mësojnë në shkollën “Branko Radiqeviq”, në Komunën e Mitrovicës Veriore, janë të ndarë në klasë të veçanta nga komuniteti serb.

Prapa kamerave, këta nxënës i kanë thënë televizionit se ka disa vjet që ata janë të ndarë nëpër klasa të veçanta dhe nuk mësojnë bashkë me serbët.

Organizatat që merren me të drejtat e fëmijëve thonë se në të gjitha shkollat ku zhvillohet mësimi sipas programit arsimor të Serbisë, është ekzistente kjo ndarje.

Nga “Ballkan Sunflowers” thonë se përderisa në shkollat ku mësimi zhvillohet me sistemin arsimor të Kosovës, kjo dukuri është eliminuar kohë më parë.

Edhe pse organizatat nuk kanë qasje nëpër këto shkolla, megjithatë, thonë se edhe prindërit e fëmijëve i regjistrojnë ata në shkollat që mësojnë me sistem të Serbisë pasi që fitojnë materialisht.

Nga Ministria e Arsimit, për më shumë se një javë, nuk kanë kthyer përgjigje në lidhje me këtë çështje.