Kosova

Nushi: Zyrtarët që janë paguar nga 12, 300 euro, meritojnë më shumë

Mediat vendore kanë raportuar ditë më pare se si një zyrtar i Telekomit të Kosovës me emrin Gazmend Nushi në shtatorin e vitit 2019 ishte paguar 12 mijë e 300 euro për punën e tij si ekspert ligjor.

Z.Nushi mësohet që pagën standarde e kishte 2 mijë e 950 euro, por e cila rritej në varësi të angazhimeve shtesë që duhej t’i kryente në shërbim të Telekomit të Kosovës. Kjo ndodh në çdo ndërmarrje publike e private në vend dhe jashtë vendit.

Sidoqoftë, raportimi i gazetës Koha me tona moraliste e demonizonte punën e tij dhe të punëtorëve të tjerë të Telekomit – vetëm për shkak të agjendës politike – duke mësyrë lidhjen e një gjëje të tillë me punësimet partiake që kishin ndodhur nga pushtetet e mëhershme.

Burime të Periskopit tregojnë se z.Nushi kishte qenë i angazhuar në ekspertiza ligjore në dy raste të rënda që lidhen me arbitrazhin. Madje, këto burime nga Telekomi bëjnë të ditur që z.Nushi kishte merituar të paguhej edhe më shumë se sa që ishte paguar.

Pagën e tij e kishte arsyetuar madje edhe Telekomi, i cili kishte thënë:

“Rasti i parë ka të bëjë me procesin e arbitrazhit me kompaninë IVK, kompani për ofrimin e shërbimeve OTT e nënshkruar vite më parë dhe rasti i dytë me procesin e negociatave me Z-MOBILE për t’i ikur mundësisë së ndonjë arbitrazhi të dytë që do të kishte pasoja fatale për Telekomin sikurse në rastin e parë. Kemi pasur nevojë për mbështetjen e tyre profesionale për këto dy procese të ndara, e përvoja e tyre në këtë fushe ishte e domosdoshme. Besojmë fuqishëm se me angazhimin e këtyre ekspertëve dhe fakteve që janë në anën tonë do të dalim fitues në këto dy raste jashtëzakonisht me rëndësi për korporatën”

Nushi vetë në anën tjetër nuk kishte mohuar asnjëherë që ishte paguar kaq dhe natyrisht se kjo ishte bërë krejtësisht në mënyrë ligjore.

Burime të Periskopit kanë bërë të ditur se pagesat e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen duke qenë se puna profesionale në Telekom është e domosdoshme dhe e cila nuk ka lidhje me punësimet partiake të militantëve nga të gjitha partitë.