Kosova

Nuk kalon në KQZ rekomandimi i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike për cerifikimin në pako të listave të partive politike

Nuk ka kaluar në KQZ rekomandimi i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike për të regjistruar në pako listat e subjekteve politike pasi vetëm 5 anëtarë e kanë votuar këtë propozim. Kundër kanë votuar 6 anëtarë të KQZ-së. Kryetarja e KQZ-së ka thënë se për të kaluar ky propozim duhet të votojnë së paku 8 anëtarë të KQZ-së.

KQZ nuk ka arritur të procedojë me certifikimin e listave të kandidatëve dhe subjekteve politike pasi mbledhje është ndërprerë, përcjell Telegrafi.

Debate të shumta janë zhvilluar mes anëtarëve të KQZ-së në lidhje me formatin se si do të do të certifikohen kandidatët e subjekteve politike.

Derisa LVV ka kërkuar votimin në pako për certifikimin e subjekteve politike, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka dhe anëtarët e PDK-së dhe LDK-së në KQZ kanë kërkuar që certifikimi i kandidatëve të subjekteve politike të bëhet veç e veç ashtu siç ishin praktikat e mëparshme.

Anëtarët e LVV në KQZ kanë thënë se certifikimin në pako të listave të partive politike e ka rekomanduar Zyra për Regjistrimin e Partive Politike.

Anëtari i LVV-së Sami Kurteshi ka thënë se nuk do të dalin nga mbledhja pa u zbatuar rekomandimi i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike.

Kryetarja e KQZ-së nga ana tjetër ka thënë se duhet të zbatohet Ligji për zgjedhjet dhe sipas saj askush nuk mund të detyrohet ta votojë një listë që nuk dëshiron.

“Ka subjekte që i kanë zëvendësuar kandidatët e vet në listat zgjedhore. Nuk është e drejtë tash të votohen në pako edhe ata që janë zëvendësuar edhe ata që nuk janë zëvendësuar”.