SHËNDETËSIA

Nuk ka datë se kur do të nisë vaksinimi anti-COVID në Kosovë

Në kohën kur është paralajmëruar se vaksina kundër Covid-19 mund të jetë e gatshme për përdorim para vitit të ri për SHBA-në dhe shtetet e Evropës, e vetmja shpresë për sigurimin e kësaj vaksine për Kosovën mbetet aleanca “Covax”.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se që nga korriku është në kontakt me këtë aleancë, por nuk ka dhënë detaje nëse qytetarët e Kosovës do ta kenë në dispozicion vaksinën në kohë të njëjtë si shtetet e tjera, raporton KOHA.

IKSHPK-ja pret që Kosova të sigurojë rreth 1.2 milionë vaksina dhe planifikon që të vaksinohen grupet me prioritet, si profesionistët shëndetësorë, të sëmurët kronikë e të moshuarit.

E derisa shteti i Gjermanisë është në mesin e shteteve të para që do të nisë vaksinimin e popullatës, disa mjekë shqiptarë në diasporë kanë nisur përpjekjet e tyre që të fusin Kosovën e disa vende të Ballkanit në listën e shteteve që do të kenë qasje në këtë vaksinë.

Distributorët thonë se vaksinat të cilat sigurohen përmes aleancës “Covax” janë të garantuara, derisa pjesa tjetër do të blihen përmes procedurave tenderuese.

KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga zyra e OBSh-së në Kosovë lidhur me furnizimin e vaksinës, por nuk ka marrë përgjigje. Në rajon, Maqedonia e Veriut planifikon furnizimin me këtë vaksinë në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm, ndërkohë që Shqipëria, sikurse Kosova, synon ta sigurojë atë përmes aleancës “Covax”.

Shfaq më shumë
//mauchopt.net/4/3473483