“Nuk besoj që dialogu Kosovë-Serbi do të sjellë rezultate këtë vit”

Wolfgang Petritsch, ish-përfaqësuesi i Bashkimit Europian për Kosovën, ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë cilësore dhe se për të arritur atë nuk duhet nguti.

Megjithatë, ai rekomandon që të mos shkapërderdhet koha dhe të shfrytëzohet një momentum i përshtatshëm kur në krye të SHBA-së është Joe Biden dhe që është treguar mbështetës i dialogut.

“Koha sigurisht se është jashtë thelbit dhe unë besoj se nuk duhet shkapërderdhur kohën, por duhet më shumë të jemi të fokusuar në bisedime edhe pse duhet ende kohë. Ndoshta nuk është bërë mjaftueshëm në vitet paraprake, por ka pasë një varg arsyesh për këtë, duke mos harruar se nuk ka pas një qeveri te fuqishme në Prishtinë. Kjo dhe të tjera probleme i kanë kontribuar po ashtu dialogut që nuk i plotësoi pritshmëritë”, tha ai.

“Tani sigurisht me Lajçakun dhe me mbështetjen e plotë te administratës Biden, që nuk ishte kështu një vit më parë. Unë besoj dhe jam optimist, por nuk do të thosha që dialogu do të sjellë rezultate këtë vit, Kjo do te thotë që të mos fokusohemi shumë në kohë, por më shumë të fokusohemi në përmbajtje dhe në cilësinë e marrëveshjes”, pohoi Petritsch.

Petritsch ka thënë se paqja është tejet e rëndësishme për rajonin pas një konflikti.

“Besoj që në fund do duhet të ketë një traktat të paqes. Por para kësaj, ajo çfarë duhet të arrijnë palët negociatore mes vete është që këtë ta arrijnë në mënyrë paqësore dhe jo përmes konflikteve. Kjo nënkupton që të bisedojnë me njeri-tjetrin dhe të përmbushen qëllimet e Bashkimit Europian si palë lehtësuese e dialogut”, u shpreh ai.

Ai në një intervistë në Klan Kosova e ka thënë se është me rëndësi për procesin e dialogut që Kosova tanimë ka një qeveri e cila ka shumicën parlamentare që nënkupton se pala negociuese është më e fuqishme kur ka popullin pas.

Go to TOP