KULTURË

“Nostalgia” me kujtimet e fëmijërisë nga Kosova në New York

“Nostalgia” përfshin vetëm dy vepra të formatit të madh. Të inspiruara nga vendlindja, realizuar prej artistit që në tokën e ëndrrës amerikane mori epitetin “Banksy kosovar”, ato janë pjesë e ekspozitës personale që Pajtim Osmanaj do ta hapë në një vend të veçantë.

Hapësira ekspozuese në hyrje të objektit “4 Times Square” – ndërtesë e njohur si nikoqire e aktiviteteve të ndryshme mes të cilave panairi i njohur i artit “Spring Break” – është vendi ku do të hapet ekspozita e artistit nga Kosova, i cili në gushtin e 2015-s, si 25-vjeçar bëri famë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet një artikulli të publikuar në gazetën prestigjioze “New York Times”, ku ai cilësohej “Banksy”, shkruan “Koha Ditore”.

Ekspozita që do të hapet më 13 të muajit korrik, e titulluar “Nostalgia” mbahet nën organizim të “Chashama Art”, e kuruar nga Dylan e Colby Cannon.

Pajtim Osmanaj, për gazetën ka shpjeguar sesi “Nostalgia” ka zënë fill në prill të këtij viti, kur mbajti ekspozitën e dytë personale në New York, në hapësirën e “Harlem”.